Në një intervistë për një media gjermane, Evis Sala ka analizuar dhjetë muajt e parë në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe rikthimin në Shqipëri pas 29 vitesh.
“Në fillim mendova se mund ta transformoj të gjithë sistemin brenda një viti, por më pas kuptova se nuk mund të ndryshosh gjithçka njëherësh sepse rrezikon dështimin”, i tha Sala gazetarit.
“Prandaj vendosa të ndalem, të analizoj me kujdes se çfarë kishte nevojë për ndërhyrje, të përcaktoj prioritetet dhe më pas të përqendrohem në dy ose tre objektiva kryesorë, duke u angazhuar për t’i çuar deri në fund. Tani e kam krijuar një tablo të qartë, e di se çfarë duhet rregulluar. Tani do të veproj hap pas hapi, ose do të merrem me tri gjëra njëherësh, nuk ka rëndësi se si vepron, për sa kohë që përqendrohesh vërtet dhe zgjedh betejat e duhura”, shtoi ministrja Sala.
Ministrja e Shëndetësisë theksoi si një prioritet përmirësimin e kujdesit spitalor, duke integruar teknologjinë.
“Këtu e kam fjalën për inteligjencën artificiale dhe digjitalizimin. Duhet të ndërtojmë një sistem të integruar, sepse aktualisht funksionojmë në struktura të fragmentuara,me “ishuj” të ndarë mes tyre. Këto ndarje ekzistojnë jo vetëm në praktikën mjekësore, por edhe në mënyrën se si merren vendimet”, u shpreh ministrja.
Më pak premtime, më shumë fokus dhe reforma që sjellin ndryshim të qëndrueshëm, sipas Salës, vendosja e prioriteteve të qarta do të jenë baza e reformave në muajt në vijim, me synimin për ta bërë sistemin shëndetësor më efikas dhe më pranë nevojave të qytetarëve.










