Një dhuratë e pazakontë nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan për liderët e NATO-s ka shkaktuar diskutime dhe sfida praktike pas përfundimit të samitit të Aleancës në Ankara.
Në largim nga samiti, Erdogan u dhuroi të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të NATO-s një revole të gdhendur të modelit “Gumusay 357 Magnum”, të shoqëruar edhe me municion të vërtetë, duke e kthyer dhuratën në më shumë sesa një objekt ceremonial.
Sipas mediave ndërkombëtare, arma ishte vendosur në një kuti druri ku shfaqeshin flamuri i Turqisë, logoja e NATO-s dhe një pllakë përshkruese në turqisht dhe anglisht. Çdo revole ishte e personalizuar me emrin e liderit që e merrte.
Dhurata synonte të promovonte industrinë turke të mbrojtjes, e cila vitet e fundit është shndërruar në një nga sektorët më të rëndësishëm të eksporteve të vendit.
Megjithatë, revolja me municion ka krijuar probleme praktike për disa delegacione lidhur me transportin, procedurat doganore dhe ruajtjen e armës.
Kryeministri belg Bart De Ëever deklaroi se u befasua kur gjeti armën dhe fishekët në bagazhin e tij pas kthimit në Belgjikë. Ai ia dorëzoi revolen policisë së Aeroportit të Brukselit, ku është vendosur në ruajtje të sigurt.
Në Poloni, revolja e presidentit Karol Naërocki po pret përfundimin e procedurave doganore në aeroportin e Varshavës, përpara se të vendoset në një ambient të sigurt. Një këshilltar i presidentit ironizoi situatën duke thënë se “sigurisht që askush nuk do të qëllojë me të”.










