Nga Hermes Kafexhiu

Reforma territoriale nuk duhet të jetë një debat për vijat në hartë, por për cilësinë e qeverisjes. Në fund të fundit, një reformë ka vlerë vetëm nëse e afron pushtetin me qytetarin, e bën administrimin më të shpejtë dhe i jep komunitetit mundësinë të zgjidhë vetë problemet e përditshme. Nëse ndodh e kundërta, atëherë kemi vetëm një riorganizim administrativ, jo një reformë të mirëfilltë.

Rasti i Astirit dhe i Lagjes 14 është ndoshta shembulli më domethënës se pse ky reflektim duhet bërë seriozisht. Një zonë që sot është kthyer në një nga qendrat më të mëdha urbane të Tiranës, me dhjetëra mijëra banorë, vazhdon të administrohet me një logjikë që nuk i përgjigjet më realitetit të saj. Është paradoksale që një qytet i tërë të jetë në varësi të një ish-fshati, ndërkohë që problematikat, dinamika dhe nevojat e tij janë krejtësisht urbane.

Nuk është çështje rivaliteti administrativ me Kasharin. Është çështje funksionaliteti. Kur një komunitet i madh nuk ka kompetencat e nevojshme për të marrë vendime për veten, ai mbetet peng i një sistemi të centralizuar, ku çdo hallkë burokratike e largon edhe më shumë qytetarin nga shërbimi që i takon.

Rasti i Gjendjes Civile ishte ndoshta ilustrimi më i qartë i këtij realiteti. Për disa muaj, banorët e Lagjes 14 u detyruan të drejtoheshin në Kashar për të kryer procedurat më elementare administrative. Një Vendim i Këshillit të Ministrave, i shoqëruar me mungesën e vullnetit institucional për të gjetur një zgjidhje më praktike, bëri që mbi 50 mijë banorë të humbnin një shërbim që deri atëherë e kishin pranë komunitetit të tyre.
Ky është pikërisht momenti kur duhet të pyesim veten, a i shërben reforma qytetarit apo qytetari reformës?

Po aq domethënës është edhe roli i administratorit të njësisë administrative. Sot ai njeh çdo problem të komunitetit, por nuk ka mjetet për ta zgjidhur. Për të lëvizur një kosh mbetjesh nga një vend i papërshtatshëm, për të sistemuar një hapësirë publike apo për të ndërhyrë në një problem të vogël të lagjes, duhet të nisë një zinxhir i pafund shkresash drejt Bashkisë së Tiranës, duke pritur miratime nga drejtori në drejtori. Një model i tillë nuk prodhon efikasitet, prodhon vonesa.

Administratori nuk duhet të jetë thjesht një ndërmjetës mes qytetarit dhe bashkisë. Ai duhet të jetë autoriteti i parë ekzekutiv në territorin që administron, me kompetenca dhe buxhet për të zgjidhur problemet e përditshme të komunitetit. Ky është kuptimi i decentralizimit dhe ky është standardi që synon vetëqeverisja vendore.

Nga ana tjetër, Astiri vazhdon të përballet me sfida që nuk mund të presin. Një territor me dhjetëra mijëra banorë nuk mund të funksionojë pa një plan serioz parkimi. Mbi 25 mijë apartamente prodhojnë çdo ditë një presion të jashtëzakonshëm mbi rrugët dhe hapësirat publike, ndërsa sistemi i parkimit mbetet pothuajse inekzistent.

Po aq e ndjeshme është mungesa e çerdheve, e hapësirave komunitare dhe e një biblioteke publike, institucione që nuk janë luks, por pjesë e domosdoshme e jetës së një lagjeje moderne.
Edhe siguria publike mbetet një sfidë që kërkon vëmendje. Astiri është zgjeruar me ritme shumë më të shpejta sesa prania institucionale. Një zonë me këtë dendësi popullsie ka nevojë për më shumë mbështetje policore, për një organizim më të mirë të rendit dhe për institucione që janë fizikisht dhe funksionalisht pranë komunitetit.

Prandaj, nëse reforma territoriale do të rishikohet, ajo duhet të ketë një filozofi të re, më pak centralizim dhe më shumë besim te komuniteti. Edhe me gjasë kjo do të ndodh. Kompetencat ekzekutive duhet të zbresin aty ku lind problemi, jo të mbeten të përqendruara në zyrat e një administrate të largët.

Lagjja 14 nuk kërkon privilegje dhe as trajtim të veçantë. Kërkon që realiteti i saj urban të njihet dhe të reflektohet në mënyrën se si qeveriset.
Në fund, reforma territoriale nuk do të gjykohet nga numri i bashkive apo njësive administrative. Ajo do të gjykohet nga një pyetje shumë më e thjeshtë, sa kohë i duhet qytetarit për të zgjidhur një problem? Nëse përgjigjja vazhdon të jetë “pas disa shkresave dhe disa zyrave”, atëherë reforma mbetet e papërfunduar. Nëse përgjigjja është “te komuniteti im”, atëherë decentralizimi ka marrë më në fund kuptim.