Shoqëria SORI-AL sh.p.k. ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me çështjen që për më shumë se dy muaj u shoqërua me pretendime për helmim ushqimor, duke theksuar se përfundimet e institucioneve shtetërore nuk kanë konfirmuar një lidhje mes aktivitetit të saj dhe rasteve të raportuara.
Sipas kompanisë, gjatë gjithë procesit ajo ka bashkëpunuar me autoritetet, duke vënë në dispozicion dokumentacionin dhe ambientet për kontrolle e rikontrolle, ndërsa ka pritur përfundimin e procedurave zyrtare.
Në deklaratë thuhet se dokumentet e institucioneve përkatëse tregojnë se QSUT nuk ka diagnostikuar asnjë pacient me helmim ushqimor dhe nuk ka raport mjekësor që lidh gjendjen e pacientëve me konsumimin e ushqimit të përgatitur nga SORI-AL.
Po ashtu, kompania thekson se analizat e kryera nga ISUV për kampionet e ushqimit kanë rezultuar negative, rezultat që sipas saj është konfirmuar edhe nga një laborator privat i akredituar. Ndërkohë, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor nuk ka konstatuar shkelje ligjore, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë me dije se nuk ka kryer analiza laboratorike të ushqimit, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka mbyllur procedurën pa konstatuar shkelje dhe ka lejuar vijimin normal të aktivitetit të kompanisë.
Në deklaratë përmenden edhe të dhëna klinike nga paraqitjet në QSUT. Sipas SORI-AL, në episodin e parë, nga 45 persona të paraqitur, 43 janë larguar brenda 1–4 orësh dhe dy kanë qëndruar më gjatë për monitorim. Në episodin e dytë, nga 67 persona, 66 janë larguar brenda 30 minutash deri në pak orë, ndërsa vetëm një person ka qëndruar i shtruar për disa ditë.
Kompania argumenton se reputacioni i saj është dëmtuar përpara përfundimit të verifikimeve zyrtare dhe ngre pyetjen se kush mban përgjegjësi kur, sipas saj, perceptimi publik krijohet nga komunikime ose veprime institucionale që nuk mbështeten më pas nga dokumentet zyrtare.
Në përfundim të deklaratës, SORI-AL shprehet se, në një shtet të së drejtës, “e vërteta duhet të ketë të njëjtën jehonë publike si akuza”.










