Në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, të zhvilluar sot në Strasburg, deputetët e Partisë Socialiste dhe eurodeputetët votuan pro rekomandimeve që mbështesin procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Përmes një njoftimi për opinionin publik, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste deklaroi se deputetët e Partisë Demokratike votuan kundër rekomandimeve, duke e cilësuar këtë si një qëndrim në kundërshtim me interesin e procesit europian të Shqipërisë.

Sipas PS-së, dokumenti i propozuar nga Sekretariati i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit nuk kërkonte amendime nga pala shqiptare, pasi atij i ishin bashkëngjitur dy dokumente themelore: Rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe Rezoluta e miratuar me konsensus nga Kuvendi i Shqipërisë për procesin e integrimit europian.

“Përsëritja e përmbajtjes së këtyre dy rezolutave, duke hequr pjesët që evidentojnë progresin e Shqipërisë në këtë rrugëtim, nuk kishte as kuptim politik dhe as vlerë shtesë për tekstin e përbashkët”, thuhet në deklaratën e PS-së.

Socialistët theksuan gjithashtu se disa prej amendamenteve të propozuara nga Partia Demokratike u mbështetën edhe nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, në frymën e bashkëpunimit që, sipas tyre, duhet të karakterizojë procesin e integrimit në BE.

Megjithatë, PS bëri të ditur se nuk mbështeti formulime që, sipas saj, cenonin balancën e dokumentit të përbashkët dhe përjashtonin referencat për progresin e Shqipërisë, të evidentuar edhe në raportet e institucioneve europiane, përfshirë Komisionin Europian.

“Procesi i anëtarësimit nuk i shërbehet duke mohuar arritjet e vendit, por duke ndërtuar mbi to”, thuhet në deklaratë.

Partia Socialiste deklaroi se do të vijojë të mbështesë çdo qëndrim dhe mekanizëm bashkëpunimi që, sipas saj, i shërben avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, mbi bazën e standardeve dhe rezultateve konkrete të procesit të integrimit.