Irani nuk e kontrollon Ngushticën e Hormuzit. Ngushtica është e hapur për të gjitha anijet që synojnë të kalojnë ligjërisht nëpër këtë rrugë ujore ndërkombëtare, është shprehur Komanda Qendrore amerikane. Të njëjtën gjë e ka konfirmuar më vonë edhe presidenti Donald Trump në një intervistë për NBC.

“Ngushtica e Hormuzit është e hapur. Ne i kemi bombarduar rëndë”, tha ai.

Por ndryshe pretendon pala iraniane.

“Për shkak të manovrave të fundit të paligjshme të forcave ushtarake amerikane në rajon, kalimi përmes Ngushticës së Hormuzit është aktualisht i pamundur”, tha Autoriteti për Ngushticën e Gjirit Persik, duke shtuar: “Sapo të rikthehen stabiliteti dhe qetësia, të gjitha kërkesat do të shqyrtohen sipas një afati të paracaktuar dhe do të lëshohen lejet e nevojshme.”

Autoriteti, i krijuar nga Irani në muajin maj, synon të menaxhojë kalimin e anijeve dhe të ndryshojë në mënyrë të përhershme statusin e Ngushticës së Hormuzit.