Ish-ministri i Jashtëm gjerman Joschka Fischer paralajmëron se Gjermania ndodhet përballë një zgjedhjeje historike.
Ai thotë se vendi duhet të vendosë mes një rruge nacionaliste dhe një rruge europiane. Sipas tij, modeli evropian i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore i ka sjellë Gjermanisë paqe dhe zhvillim. Fischer shpreh shqetësimin se rritja e partisë AfD përbën rrezik për demokracinë gjermane dhe për Bashkimin Europian.
Ai beson se, nëse AfD do të marrë pushtetin, besimi i vendeve të tjera ndaj Gjermanisë do të dëmtohet rëndë. Në intervistë, ai flet edhe për identitetin gjerman dhe përgjegjësinë historike të vendit të tij. Fischer thekson se tërheqja graduale e Shteteve të Bashkuara nga Europa krijon sfida të reja për sigurinë e kontinentit.
Fischer mbështet forcimin e mbrojtjes europiane, por kërkon që riarmatimi i Gjermanisë të zhvillohet si pjesë e një projekti të përbashkët evropian. Sipas tij, vetëm bashkëpunimi mes vendeve kryesore evropiane mund të garantojë stabilitet dhe siguri. Në këtë intervistë ai analizon të ardhmen e Gjermanisë, të Bashkimit Evropian dhe marrëdhëniet me Rusinë.
Intervista
Në librin tuaj të ri pyesni: “Kush jemi ne?”. Pse është kaq e rëndësishme kjo pyetje?
Joschka Fischer: Gjermania duhet të diskutojë seriozisht se kush është dhe çfarë roli duhet të ketë në Europë. Ne kemi përpara dy rrugë: një Gjermani nacionaliste, që do të ishte një rrezik për kontinentin, ose një Gjermani evropiane, si ajo që ndërtoi Konrad Adenauer dhe që solli mbi 70 vjet paqe dhe mirëqenie.
Madeleine Albright ju tha dikur: “Joschka, ti je shumë gjerman”. Kishte të drejtë?
Joschka Fischer: Po. Kam lindur dhe jam rritur në Gjermani. Gjuha, kultura dhe mënyra ime e të menduarit janë gjermane. Gjermania është atdheu im, por historia e saj e bën këtë lidhje të ndërlikuar dhe të mbushur me ndjenja të përziera.
Çfarë ju bën të ndiheni në siklet kur flisni për Gjermaninë?
Joschka Fischer: Trashëgimia historike. Nacionalizmi gjerman solli katastrofa të mëdha në Europë. Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore dhe me mbështetjen amerikane Gjermania u bë një demokraci evropiane dhe rifitoi besimin e fqinjëve.
Si e shihni situatën e sotme?
Joschka Fischer: Amerika po tërhiqet gradualisht nga Europa. Kjo e bën kontinentin më të pasigurt dhe rrezikon rikthimin e nacionalizmave. Për Gjermaninë ky është një rrezik edhe më i madh për shkak të historisë së saj.
A ekziston rreziku që Gjermania të rikthehet në një situatë të ngjashme me Republikën e Vajmarit?
Joschka Fischer: Jo në të njëjtën formë. Por ekziston rreziku që lidhjet mes vendeve europiane të dobësohen dhe secili shtet të ndjekë interesat e veta kombëtare. Për Gjermaninë kjo do të ishte shumë e rrezikshme.
Ju shkruani se bashkimi i Gjermanisë nuk u shoqërua me një debat për identitetin kombëtar. Çfarë nënkuptoni?
Joschka Fischer: U fol vetëm për ekonomi, para dhe infrastrukturë. Nuk u ndërtua një rrëfim i përbashkët kombëtar. Nuk u diskutua pyetja “Kush jemi ne?”. Ky boshllëk u shfrytëzua më vonë nga e djathta.
Si mund të bindet Gjermania Lindore të mos ndjekë rrugën e nacionalizmit?
Joschka Fischer: Kjo kërkon kohë. Nevojiten breza të rinj që të rriten me frymën europiane dhe me programe si Erasmus. Po ashtu duhet të zvogëlohen dallimet ekonomike mes Lindjes dhe Perëndimit.
A ju shqetëson mundësia që AfD të hyjë në qeverinë federale?
Joschka Fischer: Po. Do të ishte një goditje për demokracinë gjermane. Besimi i vendeve të tjera ndaj Gjermanisë do të binte ndjeshëm. Nëse AfD do të qeveriste vendin më të madh të Bashkimit Europian, e ardhmja e BE-së do të vihej seriozisht në rrezik.
Çfarë pasojash do të kishte kjo për Europën?
Joschka Fischer: Marrëdhëniet me Francën dhe Italinë do të përkeqësoheshin. Pa bashkëpunimin franko-gjerman nuk mund të ekzistojë një Europë e fortë.
Gjermania po investon shumë në forcimin e ushtrisë. A ju shqetëson kjo?
Joschka Fischer: Riarmatimi është i domosdoshëm, por nuk duhet të jetë vetëm një projekt gjerman. Ai duhet të bëhet pjesë e një projekti europian të mbrojtjes, me struktura të përbashkëta dhe vendimmarrje të përbashkët.
A rrezikon NATO të dobësohet?
Joschka Fischer: Nëse Shtetet e Bashkuara largohen, europianët duhet të ndërtojnë një shtyllë më të fortë evropiane brenda NATO-s dhe të forcojnë bashkëpunimin në mbrojtje.
Në librin tuaj thoni se administrata Trump dëshiron një ndryshim politik nacionalist në Europë. Pse?
Joschka Fischer: Kjo është ajo që dëshirojnë mbështetësit e lëvizjes MAGA. Fjalimi i zëvendëspresidentit amerikan në Mynih tregoi qartë këtë drejtim politik.
Ju mendoni se Italia duhet të ketë një rol më të madh në mbrojtjen evropiane?
Joschka Fischer: Po. Italia është një vend i rëndësishëm në aspektin strategjik, politik dhe teknologjik. Ajo duhet të jetë pjesë e udhëheqjes evropiane në çështjet e sigurisë.
A mund të kenë ende besim vendet e tjera tek Gjermania?
Joschka Fischer: Besimi duhet ruajtur me shumë kujdes. Pas Luftës së Dytë Botërore Gjermania e fitoi këtë besim me përpjekje të mëdha. Një qeveri me AfD do ta vinte seriozisht në rrezik këtë arritje.
A duhet të negociohet me Vladimir Putinin?
Joschka Fischer: Dialogu është gjithmonë i mundur, por vetëm nëse Rusia heq dorë nga kërkesat maksimaliste dhe ndalet dhuna. Nuk mund të ketë negociata serioze ndërsa vazhdon agresioni ndaj Ukrainës./ Intervistë për Paolo Valentino, Corriera della Sera










