Kryeministri Edi Rama deklaroi se manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja përbëjnë një nga sfidat më të mëdha për demokracitë moderne, gjatë fjalës së mbajtur në konferencën “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, të organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Rama u shpreh se konferenca zhvillohet në një moment të ndërlikuar, të diktuar nga zhvillimet gjeopolitike, pozicioni i Shqipërisë dhe presioni në rritje ndaj institucioneve demokratike.

“Jemi këtu për shkak të një ndërthurjeje mjaft shqetësuese të momentit ku jetojmë, gjeografisë ku bëjmë pjesë dhe trysnisë gërryese që po ndodh në institucionet tona demokratike,” tha ai.

Sipas kryeministrit, megjithëse diskutimet lidhen me algoritmet dhe reformat digjitale, në thelb bëhet fjalë për mbrojtjen e demokracisë, besimit publik dhe aftësinë e shoqërive të lira për të ruajtur hapësirat demokratike.

“Kjo konferencë ka të bëjë me algoritmet, reformat digjitale. Në realitet besoj se ka të bëjë me diçka shumë më thelbësore. Ka të bëjë me demokracinë, besimin në publik dhe me faktin nëse shoqëritë e lira zotërojnë qartësinë strategjike për të mbrojtur hapësirat dhe ato që ndërtojnë. Gjeografia e sigurisë kombëtare ka ndryshuar në mënyrë thelbësore”, tha Rama.

Ai theksoi se koncepti i sigurisë kombëtare ka ndryshuar rrënjësisht, duke nënvizuar se fuqia nuk matet më vetëm me kapacitetin ushtarak, por edhe me aftësinë për të ndikuar në perceptimin publik dhe për të gërryer besimin tek institucionet demokratike.

Në fjalën e tij, Rama solli edhe shembullin e Kalit të Trojës, duke e përdorur si metaforë për rreziqet e manipulimit të informacionit.

“Historia na ka mësuar diçka për atë që duhet të përballemi sot. Më shumë se 3 mijë vjet më parë, Homeri rrëfeu historinë e Trojës. Troja nuk ra sepse kishte ushtri të dobët apo mure të brishta. Troja ra sepse kërcënimi hyri i maskuar si diçka e pafajshme. Kali i Trojës mbetet mësimi suprem i historisë, se rreziku më i madh rrallë është ai që mësyn në derë; është ai që e fton brenda, sepse duket i padëmshëm,” përfundoi kryeministri.