Ata kanë dhënë gjithçka për t’u bërë “idhuj.” Janë të rinj, të bukur dhe të famshëm: fansat (sidomos vajza) i adhurojnë, siç është normale në Korenë e Jugut për gjysmëperënditë e reja të K-Popit. Me pak fjalë, nuk janë profetë të një feje të re, por pak gjë mungon që të perceptohen të tillë.

Në të vërtetë, ata ngjajnë më shumë me murgj, budistë apo të krishterë, pak rëndësi ka, sepse jeta e tyre, pavarësisht pamjes së jashtme dhe mundësive që kanë, është një jetë me shumë sakrifica: sipas kontratës, yjet tërheqës të grupit 82Major, që janë ndër vendet e para në klasifikimet muzikore me albumin e tyre të pestë (titulli: Feelm, nga bashkimi i fjalëve feel dhe film, për të përfshirë ndjenjat dhe veprimet), nuk mund të kenë të dashura, aq më pak të martohen, të krijojnë familje apo të kenë fëmijë.

Në një intervistë për Corriere della Sera, yjet e 82Major tregojnë se kanë hequr dorë edhe nga fëmijëria e shkolla.

Kur pyeten nëse pas dhjetë vitesh, ata që tashmë janë të afirmuar, e shohin veten duke eksploruar rrugë të tjera, ndoshta duke krijuar familje, ata shikojnë njëri-tjetrin dhe më pas drejtojnë sytë nga personi që udhëheq ekzistencën e tyre, si atë profesionale ashtu edhe personale:

“Pa të dashura, pa gra dhe aq më pak fëmijë”, thonë më në fund pas një çasti të shkurtër sikleti. “Për ne kanë rëndësi vetëm fansat, jetojmë për ta, komunikojmë me ta: ata janë arsyeja pse jemi këtu, arsyeja e suksesit tonë”.

Edhe kur gazetari këmbëngul në pyetjen e vet, ata përgjigjen me “jam i lumtur me qen/mace” apo “dua të blej disa makina të bukura.”

Jeta e natës nuk ekziston për djemtë e këtij grupi. Ata jetojnë së bashku, flenë herët sepse provat për këngët dhe koreografitë fillojnë në mëngjes para orës 9, nuk pinë alkool, bëjnë shumë palestër (“sepse kërcimi kërkon shumë lodhje, duhet të kemi frymëmarrje të mirë”) dhe mbi të gjitha nuk mund t’i dorëzohen dashurive që në moshën 20-vjeccare udhëheqin instinktet e shumicës së njerëzve, pavarësisht se ku kanë lindur.

Mes tyre dhe fansave ekziston një marrëveshje e pashprehur që, në të vërtetë, ngjan me një “martesë virtuale”. Nuk është rastësi që në çdo dy fjali të përgjigjeve të tyre shfaqet fjala “fans”, gjithmonë e shoqëruar me mirënjohje: “Jemi këtu vetëm falë tyre.”

K-Pop është një industri që vlerësohet në disa miliarda dollarë (sipas parashikimeve, deri në 31 miliardë dollarë deri në vitin 2033). Agjencitë që merren me zbulimin e talenteve dhe hedhjen e tyre në treg janë me dhjetëra vetëm në Seul.

Janë pikërisht këta profesionistë që investojnë te fëmijët dhe të rinjtë që mbushin shkollat e kërcimit hip-hop, të cilat janë shfaqur si kërpudhat pas shiut; janë ata që marrin përsipër rrezikun dhe përpiqen të pushtojnë një treg sa konkurrues aq edhe i pamëshirshëm.

Për çdo grup prej gjashtë vetash që ia del mbanë, ekziston një numër i pafund të tjerësh që nuk arrijnë të kalojnë pengesat e famës, që nuk arrijnë të hyjnë në botën ekskluzive të idhujve.Dhe për rrjedhojë, nuk arrijnë as të fitojnë.

Ditë pas dite, pa orare të përcaktuara, grupe si 82Major përkushtohen për të ndërtuar karrierën me këmbëngulje dhe shpirt sakrifice jo shumë të ndryshëm nga ato që karakterizojnë punonjësit e korporatave të mëdha koreano-jugore që harxhojnë gjithë energjinë e tyre në punë.

Ndryshe nga Perëndimi, ku shpesh bëjnë lajm sjelljet tekanjoze apo historitë e dashurisë, ata i përkushtohen përmirësimit të vazhdueshëm deri në përsosmëri. Grupe të tilla i përkasin një universi tjetër, një realiteti ku ai që ka famë e di se ia detyron atë më shumë të tjerëve sesa vetes. Dhe, për më tepër, pranon kufizime që mund të duken si një zgjedhje fetare, një heqje dorë nga bota më shumë sesa një përpjekje për ta pushtuar atë./Corriere