Bota Perëndimore po përjeton një krizë përfaqësimi. Shumë nga premtimet që formësuan imagjinatën e periudhës pas viteve 1990-të – nga demokracia liberale te globalizimi, shoqëritë e hapura, makinat elektrike dhe i fundi i supozuar i historisë – nuk tingëllojnë më bindëse si dikur për shumicën e njerëzve që u rritën me keto premtime. Në fakt, me përjashtim të automjeteve elektrike, premtimi duket se jo vetëm nuk është mbajtur, por kur sheh luftërat, konfliktet dhe fuqizimin e të djathtës ekstreme dhe nacionalizmit, duket se gjërat kanë shkuar në drejtim të kundërt.

Historiani dhe studiuesi Edon Qesari, i ftuar në episodin e radhës të Apostrof Podcast nga Bjorn Runa, analizon se si gjuha optimiste e botës së pas Luftës së Ftohtë po zëvendësohet nga retorika e frikës, pasiguria, mosbesimi ndaj institucioneve dhe rritja e lëvizjeve nacionaliste-populiste.

Po, ç’ndodhi me të ardhmen që na ishte premtuar?

Ëndrra liberale e viteve ’90-të nënkuptonte se historia e kishte gjetur rrugën e saj. Rënia e Murit të Berlinit dhe shpërbërja e socializmit shtetëror u interpretuan nga shumëkush si triumfi i fundmë i demokracisë liberale dhe modelit Perëndimor. Megjithatë, Qesari sugjeron se një lexim i tillë shpërfilli një kontradiktë të rëndësishme: Perëndimorizimi nuk prodhon vetëm fitimtarë, por edhe njerëz të zhgënjyer nga ky proces.

Ata të cilët iu premtua proges dhe stabilitet, tanimë e përjetojnë globalizimin në formën e pasigurisë, pabarazisë, krizave të emigracionit dhe ndjesisë së humbjes së kontrollit. Krahasuar me shumë prej kundërshtarëve të saj, e djathta ekstreme duket se e ka kuptuar më mirë këtë terren emocional, ndërsa i drejtohet gjithnjë ndjesive të frikës dhe poshtërimit, duke ofruar zgjidhje të shpejta dhe narrativa të qarta në një botë që sa vjen e bëhet më e ndërlikuar.

Një tjetër temë qendrore e diskutimit në këtë episod të Apostrof është edhe zhvendosja politike e klasës punëtore. Ndërsa gjatë pjesës më të madhe të shekullit të 20-të e majta e konsideronte thuajse të garantuar votën e punëtorëve, sot kjo lidhje është zhbërë në shumicën e botës Perëndimore. Nga Anglia veriore post-industraliste dhe Brexit-i, tek fuqizimi i trampizmit në SHBA, segmente të mëdha të klasave punëtore tashmë priren te votojnë për politika konservatore e nacionaliste. Duket se e djathta ka qenë më efikase në paraqitjen e saj si zëri i atyre që ndihen të braktisur nga globalizimi.

Por, siç sugjeron Qesari, Shqipëria nuk ka ende një parti të ekstremit të djathtë të formuar qartë, të ngjashme me ato që shohim në Francë, Itali, Gjermani apo Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se shoqëria shqiptare është imune. Ai thekson se fakti që nuk kanë patur dyer të hapura nga partitë e tanishme politike, kjo nuk do të thotë që nuk do të shfrytëzojnë hyrjen nga “dritarja,” siç mund të jetë edhe ajo e protestës.