Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy personave ka tronditur mbrëmjen e kësaj të marte banorët e fshatit Qyrkan, në Njësinë Administrative Gostime të Bashkisë Cërrik.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas përplasjes së fuqishme “kokë më kokë” të dy automjeteve. Sipas informacioneve paraprake, impakti ka qenë i fortë, duke shkaktuar dëmtime të rënda në të dy mjetet, ndërsa njëri prej tyre ka përfunduar jashtë rrugës pas përplasjes.
Dy persona kanë humbur jetën në vendngjarje, ndërsa identiteti i viktimave nuk është bërë ende i ditur.
Menjëherë pas aksidentit në Qyrkan kanë mbërritur shërbimet e emergjencës, efektivë të policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Paraprakisht dyshohet se përplasja mund të ketë ardhur si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjeteve ose një manovre të gabuar gjatë lëvizjes, ndërsa pritet që hetimet të përcaktojnë dinamikën e saktë të aksidentit.
Aksidentet rrugore mbeten një nga problematikat më shqetësuese në vend, ndërsa autoritetet vijojnë apelat ndaj drejtuesve të mjeteve për kujdes maksimal, respektimin e rregullave të qarkullimit dhe shmangien e shpejtësisë së lartë.










