Ministrin më të ri të mbrojtjes së Shqipërisë Ermal Nufi e kanë akuzuar sa ka bërë korrupsion me tenderin e perdeve të zyrës. Dhe ta mendosh që kjo ministri ka buxhet të frikshëm, ka mijëra vetë në organikë, ka tendera ushqimesh, veshjesh, këpucësh, armatimesh, emergjencash civile dhe dihet botërisht se buxheti i mbrojtjes tashmë është 69 miliardë lekë. Shqipëria si anëtare e NATO-s e ka me imponim dhe me detyrim që nga 2,2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto ta shpenzojë për mbrojtjen dhe brenda dekadës ky buxhet të shkojë 5%. E kur flasim për mbrojtjen duhet ti vemë gishtin kokës në këtë situatë të vështirë gjeopolitike kur presidenti Trump ia tha prerë Evropës “rrisni buxhetin, mbroni vetë veten se Amerika nuk shpenzon më kot për ju”.
Pra njeriu që drejton sot mbrojtjen në Shqipëri nuk akuzohet për parregullsi apo vjedhje tenderash prej miliona eurosh ushqimesh e armatimesh, por akuzohet për perdet e zyrës. E në fakt gazetarët nopranë nuk kanë faj se nga ajo ministri vetëm lajme për vjedhje tenderash këpucësh të ushtarëve kanë dalë, vetëm lajme për vjedhje tenderash të ushqimeve të ushtarakëve kanë dalë, lajme kur shefi i shtabit të përgjithshëm u merrte bakshish forcave tona që niseshin në misione ndërkombëtare kanë dalë. Do tu kërkonim kolegëve gazetarë të investigonin më thellë e të mos e ulnim piacën e lajmeve. Nga një ministër si Fatmir Mediu që në Gërdec vrau 32 të pafajshëm dhe punësoi në ministrinë e mbrojtjes dashnoren, nuk mund të akuzojmë dot ministrin e ri për vjedhje perdesh. Këtë lajmin e perdeve nuk e beson njeri prandaj gjejini Ermalit ose viktima nga lekët e babëzisë ose gjeni dashnore të punësuar në ministri me kusht që të jetë këngëtare…
Këtu bie sipari, këtu mbyllen perdet!










