Nga qytetet antike dhe fshatrat karakteristike prej guri, te malet madhështore dhe ujërat e kristalta të Rivierës, Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga destinacionet më tërheqëse turistike në Evropë. Kur është koha më e mirë për ta vizituar, si të lëvizni dhe cilat janë vendet që nuk duhen humbur? Përgjigjet i sjell media italiane “Idealista”, e cila e përshkruan vendin si një destinacion ku historia, natyra dhe deti ndërthuren në mënyrë të përkryer.
“Në Shqipëri, amfiteatrot romake shfaqen mes ndërtesave moderne, fshatrat prej guri mbikëqyrin malet e thepisura, ndërsa xhamitë dhe kishat ndajnë të njëjtën lagje në harmoni të plotë”, shkruan media italiane.
Sipas saj, brenda pak orësh mund të kalosh nga brigjet e Adriatikut në ato të Jonit, nga teleferiku që fluturon mbi çatitë e Tiranës te Syri i Kaltër, burimi me ngjyrën karakteristike blu në zemër të pyllit.
Pikërisht kjo larmi peizazhesh dhe përvojash e bën Shqipërinë një vend të afërt, të lehtë për t’u eksploruar dhe plot surpriza, ideal për këdo që dëshiron të kombinojë pushimet në det me historinë, kulturën dhe natyrën në të njëjtin udhëtim.
Më poshtë janë renditur 15 destinacionet kryesore, nga veriu në jug, me sugjerime se si t’i kombinoni dhe kur është periudha më e mirë për të udhëtuar.
Kur është periudha më e mirë për të vizituar Shqipërinë dhe si të mbërrini atje: Gjithçka që duhet të dini
Shqipëria laget nga deti Adriatik dhe deti Jon, ndërsa brendësia e saj është kryesisht malore, duke bërë që udhëtimet të zgjasin më shumë, edhe pse distancat nuk janë të mëdha.
Për një vizitë të parë, që përfshin detin, qytetet e mbrojtura nga UNESCO dhe eksplorimin e maleve shqiptare, rekomandohen të paktën 7-10 ditë.
Nëse keni vetëm 3-4 ditë, është më mirë të përqendroheni te Tirana dhe zonat përreth saj.
Pranvera dhe fillimi i vjeshtës (prill-qershor dhe shtator-tetor) ofrojnë temperatura të këndshme dhe më pak turistë.
Gjatë verës, Riviera Shqiptare nga Vlora deri në Ksamil është destinacioni më i preferuar, ndërsa veriu dhe zonat malore mbeten më të freskëta.
Dimri është i qetë, me temperatura të ulëta në zonat malore dhe klimë më të butë përgjatë bregdetit.
Mbërritja në Shqipëri është e thjeshtë.
Fluturimet direkte zbresin në Tiranë, ndërsa tragetet lidhin Italinë me Durrësin dhe Vlorën, një zgjidhje praktike për ata që udhëtojnë me makinën e tyre.
Për të lëvizur, makina personale ose me qira – ofron lirinë më të madhe dhe mundëson vizita në plazhe dhe parqe natyrore.
Rrugët kryesore janë përmirësuar ndjeshëm, megjithatë disa akse malore mbeten të ngushta dhe me kthesa të shumta.
Për turistët që udhëtojnë nga Italia, për hyrjen në Shqipëri mjafton karta e identitetit, e vlefshme për udhëtim jashtë vendit ose pasaporta.
Qytetet që tregojnë historinë e Shqipërisë: Tirana, Shkodra dhe qytetet e UNESCO-s
Në qytetet shqiptare bashkëjetojnë arkitektura socialiste, pazaret osmane, kishat ortodokse e katolike, xhamitë dhe bunkerët e kthyer në muze.
Kjo krijon një peizazh urban të gjallë, ku historia dhe jeta moderne ndërthuren natyrshëm.
Tirana dhe ballkoni panoramik i Malit të Dajtit
Në Sheshin Skënderbej ndodhen Muzeu Historik Kombëtar, Teatri i Operës dhe godinat qeveritare.
Vetëm pak hapa më tej ngrihet Xhamia e Namazgjasë, një nga më të mëdhatë në Ballkan.
Pazari i Ri është vendi ideal për të zbuluar fruta të freskëta, erëza dhe kafene tradicionale.
Ndërkohë, turet falas në këmbë ndihmojnë vizitorët të kuptojnë historinë osmane, periudhën komuniste dhe transformimin e viteve të fundit, me ndalesa në bunkerët-muze dhe zonën e Bllokut.
Në dalje të qytetit, teleferiku “Dajti Ekspres” i çon vizitorët në Parkun Kombëtar të Dajtit.
Nga lart, Tirana shfaqet si një mozaik shumëngjyrësh i rrethuar nga kodra dhe fusha.
Shkodra: Bashkëjetesa fetare dhe kalaja mbi liqen
Në veri të vendit, Shkodra konsiderohet kryeqendra kulturore e Shqipërisë.
Bashkëjetesa fetare është e dukshme mes Xhamisë së Madhe, Katedrales Ortodokse dhe Katedrales së Shën Shtjefnit.
Mbi qytet ngrihet Kalaja e Rozafës, e cila dominon fushën dhe Liqenin e Shkodrës.
Zona mund të eksplorohet me varkë, kajak ose biçikletë, mes peizazheve të mbjella dhe maleve që shtrihen drejt Malit të Zi.
Berati – Qyteti i një mbi një dritareve
Berati, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, shtrihet në të dy brigjet e lumit, me shtëpitë e bardha dhe dritaret e vendosura njëra mbi tjetrën.
Kalaja në majë të kodrës ruan kisha bizantine, xhami dhe shtëpi ende të banuara.
Në lagjet historike dallohen qartë ndikimet e arkitekturës osmane dhe traditave të krishtera.
Gjirokastra: Qyteti i gurtë, shtëpitë-kulla dhe tuneli i Luftës së Ftohtë
Çatitë me pllaka guri gri, shtëpitë-kulla osmane dhe kalaja, një nga më të mëdhatë në Ballkan, i japin Gjirokastrës pamjen karakteristike.
Edhe ky qytet është pjesë e UNESCO-s.
Brenda banesave historike, si Shtëpia e Zekatëve dhe Muzeu Etnografik, ruhen si ambiente që tregojnë jetën e borgjezisë ballkanike, me qilima, tavane të gdhendura dhe veranda me pamje nga lugina.
Një tunel i ndërtuar gjatë Luftës së Ftohtë pasqyron periudhën e bunkerëve, ndërsa Pazari i Vjetër sot është i mbushur me dyqane artizanale, kafene dhe restorante.
Korça: Muze, festivale dhe atmosferë boheme
Në juglindje, Korça paraqet një tjetër “fytyrë” të Shqipërisë.
Muzeu i Artit Mesjetar ekspozon ikona dhe vepra të rëndësishme fetare.
Kinemaja Majestik rrëfen fillesat e kinemasë shqiptare.
Pazari osman, Xhamia e Mirahorit dhe Katedralja e madhe “Ringjallja e Krishtit” formojnë qendrën e qytetit, e cila gjallërohet gjatë festivaleve të muzikës, teatrit dhe gastronomisë.
Durrësi: Amfiteatri romak i fshehur mes ndërtesave
I vendosur në brigjet e Adriatikut, Durrësi është një nga qytetet më të lashta të Shqipërisë.
Përveç plazheve, ai ruan mure antike, një ujësjellës dhe amfiteatrin romak të shekullit II, i cili ende është pjesërisht i fshehur nga ndërtimet moderne.
Pranë tij ndodhet edhe një forum i periudhës bizantine me kolona mermeri.
Male, kanione dhe qytete antike: Aty ku natyra takon historinë
Mjafton të udhëtoni drejt veriut ose të futeni në brendësi të vendit, për të zbuluar një Shqipëri krejt tjetër, me lugina, liqene dhe kanione spektakolare.
Mes shkëmbinjve gëlqerorë rrjedhin lumenj me ngjyrë smeraldi, ndërsa pranë tyre teatrot dhe tempujt dëshmojnë historinë mijëravjeçare të vendit.
Liqeni i Komanit dhe Thethi: Rruga e “Fjordeve”
Pas Shkodrës, rruga të çon drejt Liqenit të Komanit, një rezervuar i gjatë dhe i ngushtë që ndjek lumin Drin mes mureve shkëmbore.
Lundrimi me tragetet lokale ofron disa nga peizazhet më spektakolare të Shqipërisë.
Pas këtyre maleve fillojnë Alpet Shqiptare, të njohura edhe si Bjeshkët e Nemuna.
Thethi është simboli i kësaj zone, me shtëpi guri, kishën e ndërtuar në vitin 1892 mes livadheve dhe majat e thepisura përreth.
Fshati arrihet me automjete të përshtatshme ose me makinë gjatë sezonit të mirë, por edhe përmes ecjes malore rreth gjashtë orëshe nga Valbona.
Apolonia e Ilirisë: Qyteti ku studioi Oktaviani i ri
E themeluar si qytet grek dhe më pas romak, sipas disa burimeve Apolonia ishte vendi ku studioi në rini Oktaviani, perandori i ardhshëm August.
Në parkun arkeologjik ruhen mbetjet e tempujve, odeoni, fragmente të harkut të triumfit dhe buleuterioni, qendra politike e qytetit antik.
Një port i dikurshëm lumor, i zhdukur pasi lumi i Vjosës ndryshoi shtratin pas një tërmeti, dëshmon për lulëzimin e dikurshëm të qytetit.
Butrinti: 3000 vjet histori në një shëtitje
I vendosur mes lagunës dhe kanaleve, Parku Kombëtar i Butrintit, pjesë e UNESCO-s, përmbledh faltore, banja romake, pagëzimore bizantine, bazilikë paleokristiane, mure ciklopike dhe një kala veneciane që sot shërben si muze.
Brenda pak orësh vizitorët mund të përjetojnë dëshmitë që pasqyrojnë periudhat greke, romake, bizantine dhe veneciane, mes natyrës së paprekur.
Syri i Kaltër: Burimi magjepsës në zemër të pyllit
Në jug të vendit ndodhet Syri i Kaltër, një burim karstik që nxjerr ujë me forcë të jashtëzakonshme.
Qendra e tij ka një ngjyrë blu të errët, e cila kalon gradualisht në nuanca bruz.
Ekskursionet që nisen nga Saranda e bëjnë vizitën të lehtë, pa qenë nevoja të përshkoni rrugë dytësore.
Parku Kombëtar i Llogorasë: Ballkoni mbi Jon
Mes Vlorës dhe Himarës, Parku Kombëtar i Llogorasë ngrihet mes pishave, bredhave dhe frashërve deri në qafën panoramike me pamje mbi detin Jon.
Zona është shumë e frekuentuar nga adhuruesit e ecjeve në natyrë, çiklizmit dhe hedhjes me parashutë.
Mes faunës spikasin shqiponjat, shkabat, thëllëzat dhe shumë lloje të tjera shpendësh grabitqarë.
Riviera Joniane dhe shijet tradicionale: Vlora, Saranda dhe Ksamili
Bregdeti jugor është imazhi më i njohur i Shqipërisë, por pas plazheve fshihen histori, pika panoramike dhe tradita kulinare mesdhetare.
Vetëm pak kilometra larg detit ndodhen faltore, pazare dhe tarraca me pamje nga lagunat, që e bëjnë udhëtimin edhe më të pasur.
Vlora: Aty ku takohen Adriatiku dhe Joni
Vlora është pika lidhëse mes dy deteve dhe baza ideale për të eksploruar Rivierën.
Në qytet ndodhet Xhamia e Muradies, e shekullit XVI, që i atribuohet arkitektit të famshëm osman Mimar Sinan.
Në pikën më të lartë ngrihet teqeja bektashiane e Kuzum Babait, nga ku hapet një panoramë e gjerë mbi bregdetin dhe kodrat.
Mes plazheve më të frekuentuara janë Plazhi i Vjetër, Plazhi i Ri dhe zona e njohur si Bora Bora, megjithëse shumica e turistëve e përdorin Vlorën si pikënisje drejt gjireve më të qeta.
Saranda dhe Ksamili: Rërë e bardhë dhe ishuj pranë bregut
Pas Llogorasë, rruga bregdetare kalon nëpër Dhërmi dhe Himarë, përpara se të mbërrijë në Sarandë, e cila është baza ideale për të vizituar Butrintin dhe Syrin e Kaltër.
Prej andej arrihen plazhet e Ksamilit, të njohura për rërën e bardhë e të imët, ujin me nuanca tropikale dhe ishujt e vegjël, që mund të arrihen lehtësisht me not.
Çfarë duhet të hani dhe çfarë të merrni me vete si kujtim?
Kuzhina shqiptare pasqyron ndërthurjen e traditave ballkanike dhe mesdhetare.
Byreku, i mbushur me djathë, perime ose mish, është ushqimi më i përhapur.
Tava e kosit është një nga gatimet tradicionale më të njohura, e përgatitur me mish qengji, kos dhe vezë, derisa të marrë formën e një tavë të butë.
Në bregdet mbizotërojnë peshku i freskët, kallamarët në skarë, supat me fruta deti dhe midhjet, të shoqëruara shpesh me djathë të bardhë, domate dhe ullinj.
Ndër gatimet me mish rekomandohen qoftet me erëza.
Për ëmbëlsirë duhen provuar trileçja dhe bakllavaja.
Pijet tradicionale përfshijnë rakinë e kumbullës ose të rrushit.
Si suvenire gastronomike dhe artizanale rekomandohen mjalti, çaji i malit, reçelrat, erëzat, qeleshja prej leshi, tekstilet e qëndisura, shkopinjtë e gdhendur, qeramika dhe punimet në filigran.










