Zinedine Zidane pritet të jetë trajneri i ardhshëm i Kombëtares së Francës.
Sipas raportimeve të fundit, vendimi për t’ia besuar drejtimin e “Gjelave” legjendës franceze është marrë që në muajin nëntor dhe që prej atëherë nuk ka pasur dyshime rreth zgjedhjes. Ish-trajneri i Real Madridit mësohet se ka nisur tashmë përgatitjet për aventurën e re. Zidane thuhet se e ka përcaktuar stafin teknik që do ta shoqërojë në pankinën e Francës, ndërsa dokumentet e marrëveshjes pritet të nënshkruhen zyrtarisht gjatë këtij muaji.
Për 53-vjeçarin, marrja e drejtimit të Francës do të shënonte rikthimin në stol pas disa vitesh mungesë. Zidane nuk ka drejtuar një skuadër që prej largimit nga Real Madridi në vitin 2021. Gjatë periudhës së tij në krye të klubit spanjoll, ai shkroi historinë duke fituar tri herë radhazi Ligën e Kampionëve, si dhe trofe të tjerë të rëndësishëm.
Stoli i Francës është konsideruar prej kohësh destinacioni i tij i preferuar. Zidane është një nga figurat më të mëdha në historinë e futbollit francez, pasi si lojtar ndihmoi Kombëtaren të fitonte Kupën e Botës më 1998 dhe Kampionatin Evropian më 2000. Nëse marrëveshja konfirmohet, Zidane do ta udhëheqë Francën në disa nga turnetë më të rëndësishme ndërkombëtare. Objektivat e tij do të përfshijnë Ligën e Kombeve, Euro 2028 dhe Kupën e Botës 2030.
Pritshmëritë do të jenë jashtëzakonisht të larta, pasi Franca zotëron një nga brezat më të talentuar në futbollin botëror. Misioni i Zidane do të jetë ta shndërrojë këtë potencial në trofe dhe ta mbajë Kombëtaren mes pretendenteve kryesore në çdo kompeticion. Tashmë pritet vetëm nënshkrimi dhe njoftimi zyrtar, i cili do të hapte një kapitull të ri në historinë e Francës: atë të Zinedine Zidane si trajner i Kombëtares.










