Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla ka ndarë në rrjetet sociale një foto të policit të lënduar nga një gur, që u hodh prej protestuesve para Parlamentit.

Guri e goditi në kokë policin dhe nga fotoja e shpërndarë prej Ballëz duket momenti kur ai shoqërohet nga një koleg për të marrë ndihmë, pasi është gjakosur.

“Ky punonjës policie i gjakosur nga gurët dhe dhuna e këtyre mbetjeve sociale dhe politike është apeli ulëritës për çdo shqiptar t’i dënojë dhe distancohet nga dhuna.

Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë në marrëdhënien, sjelljen dhe respektin ndaj punonjësve të policisë.

Policia i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës. Policia ka derdhur gjak, në emër të misionit dhe betimit të saj”, shkruan ai.