Nga Mero Baze
Pas 25 muajsh në qeli, Gjykata e Posaçme Antikorrupsion urdhëroi sot lirimin e menjëhershëm në sallën e gjyqit të Ilir Beqaj, për shkak të kalimit të afateve të paraburgimit. Fushata demonizuese ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, që pasoi marrjen e tij si i pandehur për koncesionin e sterilizimit dhe më pas arrestimi i tij nën akuzën e korrupsionit, për detyrën e tij në krye të agjencisë së koordinimit të ndihmave evropiane në Shqipëri, u shkrinë me njëra-tjetrën, duke pasur si objektiv viktimizimin e një figure të lartë politike, pa pritur të gjendej një fakt real serioz që justifikonte arrestimin.
Shumë shqiptarë mendojnë se Ilir Beqaj është në burg për kontratën e sterilizimit. Në fakt, aty ai jo vetëm që nuk ka pranuar gjykim të shkurtuar, i bindur që është i pafajshëm, por po mbrohet duke e ndarë çështjen nga të akuzuarit e tjerë për një shërbim që ka ngritur standardin e mjekësisë shqiptare.
Ai u arrestua befas në korrik të vitit 2024, nën një akuzë dukshëm të sajuar me nxitim, meqë nuk arrinin dot të gjenin ndonjë gjë serioze për ta arrestuar për koncesionin e sterilizimit. Dukej si një dhuratë që ia bënin atyre që u kishin kërkuar arrestimin e tij.
Akuzat e publikuara përmes gazetarëve që SPAK përdor për propagandë, nën drejtimin e ish-drejtorit të marrëdhënieve me publikun, ishin sa qesharake aq dhe monstruoze. Fjala vjen, në akuzat që u shpërndaheshin portaleve të komanduara të SPAK thuhej se ai ka paguar tre operatorë për të njëjtin shërbim, dhe morën më qafë dhe dy biznesmenë të tjerë që i arrestuan nën këtë dyshim.
Bëhej fjalë për një konferencë ndërkombëtare, treditore në Shqipëri, ku shërbimi ishte ndarë në tri kompani, por jo se ishte faturuar për të njëjtin shërbim, por për të njëjtin tip shërbimi. Një ndihmës i tij, i ngatërruar në menaxhimin e faturave, për pak çoi para drejtësisë, njësoj si Beqaj, dhe dy artistë të njohur që kanë shërbime restoranti. Konspiracioni që u krijua dhe përbaltja ndaj tij arriti kulmin, duke e trajtuar atë si zyrtar të lartë të përfshirë në korrupsion, kur në fakt ai nuk ishte zyrtar i lartë, por drejtues i një agjencie shtetërore, që nuk përfshihet me kuadrin tonë ligjor në listën e zyrtarëve të lartë. Për këtë arsye nuk ishte fare as kompetencë e SPAK, por dëshira për të pasur një statistikë politike nga SPAK, e shoqëruar me aftësinë shembullore të tyre, përveç asaj për propagandë, bëri që ai të qëndrojë 25 muaj në qeli, për një akuzë që në fund gjykata para disa ditësh ia ka kthyer mbrapsht SPAK për t’ia plotësuar, pasi nuk përputhet asgjë mes propagandës dhe fakteve.
Ndërkohë ai vazhdonte të rrinte në qeli si ish-zyrtar i lartë, pa qenë i tillë, dhe i akuzuar për korrupsion, pa ndonjë evidencë konkrete.
Në këtë kuadër i nisën dhe një veting pasuror, me shpresë se ashtu nuk dilte më nga burgu.
Sot jemi në situatën që gjyqi ndaj sterilizimit ka përfunduar, disa persona ekzekutivë të gjetur përgjegjës kanë pranuar gjykimin e shkurtuar dhe janë dënuar, ndërsa Ilir Beqaj nuk ka pranuar as gjykimin e shkurtuar dhe as akuzën dhe po vazhdon betejën duke shpresuar në drejtësi për pafajësinë e tij. Nga ana tjetër, gjyqi banal i sajuar kundër tij dështoi për 25 muaj të gjente fakte, kaloi afatet e paraburgimit dhe sot u detyruan ta nxjerrin me arrest shtëpie, një masë ende e pajustifikuar dhe e padrejtë, por që reflekton persekutimin e tij politik si viktimë e drejtësisë së re.
Historia e Ilir Beqaj është radiografia reale e dështimit të Reformës në Drejtësi, e përdorimit të SPAK si një instrument represiv për të prodhuar statistika politike dhe, nga ana tjetër, një provë konkrete e paaftësisë profesionale të tyre dhe poshtërimit barbar që u kanë bërë përmes propagandës gebelsiane të zyrës së marrëdhënieve me publikun të tyre, që fatkeqësisht ka shpërdoruar paratë e qeverive perëndimore, kryesisht asaj britanike.
Bashkë me të mbahen ende nën hetim dhe nën përgojim publik bashkëpunëtorë, pjesëmarrës në veprimtaritë publike të agjencisë që ai drejtonte, me shpresë se do nxirrnin ndonjë fakt prej tyre.
Fakti që ai është mbajtur 25 muaj në paraburgim, pa asnjë provë bindëse për korrupsion, dhe pas 25 muajsh gjykata u detyrua ta kthejë dosjen mbrapsht për ta rihetuar, ndërkohë që i kishin kaluar afatet e paraburgimit, tregon qartë se deri tani kemi një fushatë ndëshkimore për nevoja politike, por jo një drejtësi.
Është e njëjta situatë, madje dhe më e rëndë, me Erion Veliajn, të cilit nga inati pse po dështojnë me rrëmbimin nga zyra në qeli, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që praktikisht urdhëron lirimin e tij, ia shtynë gjyqin për 15 shtator dhe kanë nisur të kontrollojnë mos i gjejnë ndonjë shkelje në dietat e udhëtimit, meqë s’po ia dalin dot të ngrenë një akuzë serioze për atë që e kanë rrëmbyer nga zyra.
E gjithë kjo tregon se i vetmi bilanc real i SPAK në Reformën në Drejtësi është dështimi për të faktuar akuzat e ngritura politikisht ndaj zyrtarëve të lartë dhe mosçuarja e asnjë procesi deri në fund në mënyrë profesionale, por vetëm përmes gjyqeve popullore dhe masave represive të paraburgimit.
Por në vend që ata të tregonin përgjegjshmëri, pasi ne u besuam atyre fatet e Reformës në Drejtësi, ata treguan papërgjegjshmëri duke u marrë me fatet fizike të viktimave të tyre, duke e kthyer kështu Reformën në Drejtësi, në viktimën e parë dhe më të madhe të tyre.










