Pitbull i tregoi botës se sa i aftë është për të krijuar momente të paharrueshme, duke mbledhur turmën më të madhe të njerëzve tullacë.
Ai vendosi një Rekord Guinness në koncertin e tij në Hyde Park, kur 22.141 fansa vendosën kapuçë që i bënin të dukeshin tullacë, një ngjarje “e papërshkrueshme” për artistin. Publiku londinez gjithashtu u shfaq me këmisha të bardha dhe syze dielli aviator për të imituar pamjen karakteristike të “Mr Worldwide.”
Për shkak të kërkesës së jashtëzakonshme për bileta, Pitbull gjithashtu theu rekordin për pjesëmarrjen më të lartë të regjistruar ndonjëherë në një koncert të BST Hyde Park, me 69.999 fansa.
“Është e vështirë për mua të them se jam pa fjalë, por e vetmja gjë që mund të mendoj tani është të di se çfarë ka kaluar familja ime për të qenë dikush i lirë. Si një familje emigrantësh nga Kuba, të jem në gjendje të ndjek ëndrrën time dhe të jem në një skenë si kjo, duke përfaqësuar të gjithë tullacët në mbarë botën, kjo është e paçmuar. Nuk ka asnjë mënyrë që mund të them faleminderit; nuk ka fjalë për të shprehur atë që ndjej tani”, u shpreh ai.
Pitbull, mori edhe certifikatën e rekordit në prapaskenë, por për të nuk ishte aspak surprizë pasi “puna e palodhur shpërblehet.”
Për të festuar këtë moment, Pitbull piu nga një shishe me vodkën e tij Voli 305, me vlerë 24 dollarë, të prodhuar në qytetin e tij të lindjes, Miami.
Në skenë iu bashkua edhe Kesha, e cila u bë e famshme pasi mori pjesë në bashkëpunimin e tyre të vitit 2013, “Timber”. Më vonë, në skenë u ngjitën edhe reperi Lil Jon e Ne-Yo.










