Nga Edon Bilali/
Kam ndjekur me shumë zhgënjim, por me objektivitet, derivatin malinj të protestës më paqësore deri më sot. Derivatin e dhunës, verbale ose fizike, të gjuhës së urrejtjes që slanë të gjallë e të vdekur pa futur në gojë me fantazira realisht shqetësuese e të sëmura.
Reagova kundër dhunës ndaj policëve pasi vlerësoj maksimalisht Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës, sepse në çdo kohë bëjnë një punë e cila jo vetëm nuk vlerësohet mjaftueshëm por vjen me kosto shumë të larta. Uniforma është shteti, është Shqipëria, jemi ne, nuk është as Partia Socialiste as Qeveria Shqiptare.
Pasi pashë komentet negative (review me 1 yll në platformën Google) të Kalasë Rozafa (që i merrni të keqen që nuk ka), një ndër kalatë më të rralla në Europë për shkak të pozicionit natyror strategjik dhe ndër kalatë e rralla që identifikohet edhe me një legjendë si ajo e Rozafatit, mu kujtua një video të cilën e kam parë në rrjete dhe e gjeja tejet motivuese. Video, siç shfaqet në pjesën e parë të këtij reel tregon për njerëz që edhe majës së Everestit i gjejnë yçkla. Frustrimit personal të njerëzve në epokën digjitale nuk i fshihesh dot, algoritmi mund të ndihmojë në përzgjedhjen e përmbajtjes që secili nga ne sheh por në rrjete sociale nuk ka “imunitet”.
E nëse shembulli i parë shkakton ose të qeshura, ose keqardhje ajo çfarë po ndodh sot është ku e ku më e trishtë dhe më e turpshme. E trishtë sesi shënjestra i drejtohet tashmë kujtdo dhe e turpshme që individë anonimë, pa personalitet vetjak, marrin komanda si të ishin milici kundër kujtdo që ka shfaqur një mendim ndryshe nga i tyri. Kjo sigurisht është në linjë me ofendimet e presionet e ushtruar javët e fundit, fillimisht të njerëzve që zgjidhnin një kafe për t’u qetësuar apo gëzuar me miq ndaj protestës, me tifozët që zgjidhnin ndeshjen ndaj protestës, me njerëzit e vërtetë në rrjete që telendiseshin nga profile anonime.
Elementë që iu bashkuan protestës, u vetëshpallën organizatorë të saj, tashmë po shfaqin një tipar narcizimi grandioz. Kjo sjellje duhet studiuar, por nga ekspertë të tjetër fushe. Rezultati që kanë prodhuar ditët e fundit është për të vënë duart në kokë: nga padija, nga dashakeqësia, nga antishqiptaria dhe nga idiotësia.
Zgjodha “targetin” e tyre të radhës, “Agroturizëm Hysaj” një rast që e njoh nga afër për të ilustruar sa mësipër. “Porosia për ekzekutim” patjetër që do ishte në platformën kineze Tik-Tok, patjetër që porositësi do jepte një informacion i cili është i shkruar gabim, ku ka në përbërje të mesazhit pjesë të pavërtetë dhe kryesorja nuk merr në konsideratë kryesoren: para se të ishte ky biznes në atë zonë, asnjë sipërmarrësi guximtar deri në lajthitje s’do i shkonte në mend të çonte para të fituara me djersë. S’do të mjaftonin ligjet tona “1 euro” apo “paketa e maleve” për të marrë përsipër vendimin “e çmendur” për t’u kthyer në vendin tënd e për t’u kufizuar siç të kufizon agroturizmi. Snajperët joshenjues nuk menduan asnjë çast çfarë përfitoi zona, sa njerëz janë të punësuar, sa nana gëzohen që fëmijët s’po emigrojnë se e kanë një vend pune në fshatin e vet, sa blegtorë, fermerë e kasapë bëjnë plane bazuar mbi të ardhurat që marrin nga ky (apo çdo) agroturizëm.
Nëse komentet negative për Kalanë Rozafa më banen me qesh për kufinjtë njerëzorë të argumentuara nga Ajnshtajni, komentet për këtë (dhe çdo) agroturizëm më trishtuan thellësisht sepse mes shqiptarësh prekëm një fund të ri: vëllavrasjen në epokën digjitale.










