Ndryshe nga vitet e kaluara, pushimet e vitit 2026 nuk po ndikohen vetëm nga buxheti familjar.

Vera e vitit 2026 po ndërtohet mes dy realiteteve. Nga njëra anë, shqiptarët vazhdojnë ta konsiderojnë pushimin veror si shpenzimin që nuk preket, edhe kur shtrëngojnë buxhetin në fusha të tjera.

Nga ana tjetër, çmimet më të larta të transportit, akomodimit dhe paketave turistike po i detyrojnë të planifikojnë më herët, të krahasojnë më shumë dhe të kërkojnë alternativa që deri pak vite më parë nuk ishin në radar.

Në një vit të shoqëruar me pasiguri gjeopolitike, ku konflikti Izrael-Iran ndikoi për muaj të tërë tregjet e energjisë dhe të transportit ajror, industria e turizmit u përball me një valë të re kostosh. Edhe pse marrëveshja e fundit për uljen e tensioneve ka sjellë qetësi në tregjet e naftës, çmimet e biletave ajrore mbeten më të larta se një vit më parë.

Megjithatë, dëshira për të udhëtuar nuk duket se është zbehur. Agjencitë turistike raportojnë se rezervimet e hershme kanë vijuar me ritme të larta, ndërsa Greqia dhe Turqia mbeten destinacionet kryesore të shqiptarëve.

Paralelisht, po rritet interesi për Egjiptin, Maltën, Spanjën dhe Italinë e Jugut, ndërsa një pjesë e brezit të ri po i organizon pushimet pa agjenci, duke kombinuar fluturime lou-cost, apartamente me qira dhe përvoja më autentike.

Ndryshe nga vitet e kaluara, pushimet e vitit 2026 nuk po ndikohen vetëm nga buxheti familjar. Në Shqipëri, një verë e shoqëruar me protesta të vazhdueshme në Tiranë dhe me një klimë politike më të tensionuar ka shtyrë shumë familje të kërkojnë më shumë ditë larg qytetit, ndërsa operatorët turistikë raportojnë rritje interesi për fundjavat e zgjatura dhe paketat jashtë vendit.

Sipas tyre, ka pasur edhe familje që kanë shtyrë pushimet për shkak të protestave, duke qenë të angazhuar. Një tjetër ndryshim i dukshëm është zgjerimi i sezonit. Nëse dikur korriku dhe gushti dominonin zgjedhjet, tashmë qershori dhe sidomos shtatori po fitojnë terren.

Temperaturat më të moderuara, çmimet deri në 20-30% më të ulëta dhe shmangia e mbipopullimit po e kthejnë shtatorin në muajin e parapëlqyer të një pjese gjithnjë e më të madhe të pushuesve shqiptarë. Qershori, nga ana tjetër, sipas agjencive të kontaktuara në kryeqytet, në rezervimet e hershme të janar-shkurtit, rezulton me kosto 35% më lirë sesa korriku dhe gushti.

Greqia dhe Turqia mbeten në krye, por rritet interesi për Egjiptin dhe Spanjën

Edhe në verën e vitit 2026, shqiptarët vazhdojnë t’u qëndrojnë besnikë dy destinacioneve tradicionale të pushimeve jashtë vendit: Greqisë dhe Turqisë.

Sipas operatorëve turistikë të kontaktuar nga “Monitor”, pjesa më e madhe e rezervimeve të sezonit veror vijon të përqendrohet në këto dy tregje, të favorizuara nga afërsia, infrastruktura turistike e zhvilluar dhe raporti relativisht i qëndrueshëm mes çmimit dhe cilësisë së shërbimit.

Në Greqi, destinacionet më të kërkuara mbeten Korfuzi, Halkidiki, Parga dhe Lefkada. Sipas informacionit të siguruar nga agjencitë turistike, interesi është i lartë sidomos për familjet që parapëlqejnë të udhëtojnë me automjetin e tyre dhe të shmangin kostot e fluturimeve.

Agjencitë raportojnë se çmimet kanë shënuar rritje krahasuar me sezonin e kaluar. Sipas ofertave të tyre për sezonin veror 2026, një paketë 5-7 net në hotel me katër yje në destinacione si Korfuzi apo Halkidiki luhatet përgjithësisht nga 650 deri në 900 euro për person gjatë korrikut dhe gushtit, ndërsa resortet me pesë yje mund të kalojnë 1,000 euro për person.

Turqia mbetet destinacioni më i fortë për paketat “all inclusive” dhe “ultra all inclusive”. Sipas të dhënave të siguruara nga agjencitë turistike, Antalya vazhdon të dominojë rezervimet, e ndjekur nga Bodrumi, Kemeri dhe Alanya. Paketat standarde për një javë në resort me pesë yje nisin nga rreth 800 euro për person, ndërsa resortet premium mund të arrijnë nga 1,500 deri në mbi 2,500 euro për person.

Agjencitë theksojnë se rezervimet e hershme kanë qenë një nga faktorët kryesorë të kursimit këtë vit, me zbritje që në disa raste kanë arritur deri në 30% krahasuar me çmimet e sezonit të pikut.

Një zhvillim interesant i këtij sezoni është rritja e interesit për Egjiptin. Sipas operatorëve turistikë, destinacionet si Sharm El Sheikh dhe Hurghada po tërheqin gjithnjë e më shumë shqiptarë falë kombinimit të klimës së qëndrueshme, resorteve të mëdha dhe çmimeve konkurruese.

Nga informacionet e siguruara nga agjencitë turistike rezulton se paketat për 7 net në hotele me katër dhe pesë yje variojnë nga 750 deri në 1,100 euro për person, duke e kthyer Egjiptin në një alternativë gjithnjë e më të fortë ndaj Turqisë për segmentin që kërkon shërbim të plotë me kosto të kontrolluar.

Paralelisht, po rritet edhe interesi për Spanjën, veçanërisht Barcelonën, Costa Brava-n, Valencian dhe Majorkën. Sipas agjencive të udhëtimit, këto destinacione po zgjidhen kryesisht nga të rinjtë dhe çiftet që kërkojnë një kombinim mes plazhit, jetës urbane dhe eksperiencave kulturore.

Bazuar në paketat e ofruara nga agjencitë, udhëtimet me avion dhe akomodim për 4-5 net nisin nga rreth 400-500 euro për person në shtator, ndërsa gjatë kulmit të sezonit mund të arrijnë 700-900 euro.

Italia vijon të mbetet një treg i rëndësishëm, por me profil të ndryshëm nga Turqia apo Greqia. Puglia, Bari, Lecce, Sicilia dhe Amalfi po tërheqin udhëtarë që preferojnë turizmin gastronomik, qytetet historike dhe lëvizjen e pavarur.

Sipas operatorëve turistikë, për shumë shqiptarë këto nuk janë më thjesht pushime plazhi, por udhëtime të ndërtuara rreth përvojës, ku gastronomia, kultura dhe aktivitetet lokale peshojnë po aq sa deti dhe hoteli. Sipas informacionit të siguruar nga agjencitë, kostot për Italinë ndryshojnë ndjeshëm në varësi të destinacionit dhe periudhës së rezervimit.

Fluturimet vajtje-ardhje drejt Barit apo Brindisit mund të gjenden nga 60 deri në 150 euro për person në rezervimet e hershme, ndërsa gjatë kulmit të sezonit, çmimet shpesh kalojnë 200 euro. Akomodimi në hotele me 3 dhe 4 yje në Puglia, Bari apo Lecce varion mes 70 dhe 150 euro për natë për dhomë dyshe, ndërsa në destinacione më të kërkuara si Amalfi apo disa zona të Sicilisë, çmimet mund të arrijnë nga 180 deri në mbi 300 euro për natë gjatë muajve korrik-gusht.

Në total, një udhëtim 4-5 net me fluturim dhe akomodim për një person zakonisht kushton nga 350 deri në 700 euro, ndërsa paketat më premium mund të kalojnë lehtësisht kufirin e 1,000 eurove.

Një destinacion që po fiton vëmendje këtë vit është edhe Sardenja, pas vendosjes së fluturimeve direkte nga Tirana drejt Algheros. Linja e re ka ulur ndjeshëm kohën dhe koston e udhëtimit, duke e bërë ishullin italian më të afërt për turistët shqiptarë. Fluturimet direkte zgjasin rreth 1 orë e 45 minuta dhe operohen disa herë në javë gjatë sezonit veror.

Sipas operatorëve turistikë, Sardenja po tërheq kryesisht udhëtarë me të ardhura mesatare dhe të larta, të interesuar për plazhet e njohura, natyrën e ruajtur dhe standardin e lartë të shërbimeve turistike. Biletat vajtje-ardhje të rezervuara herët mund të gjenden nga rreth 60-150 euro për person, ndërsa gjatë kulmit të sezonit, çmimet rriten ndjeshëm.

Akomodimi në zonat turistike të Algheros, Olbias apo Costa Smeralda varion zakonisht nga 100 deri në 250 euro për natë për një dhomë dyshe në hotele me 3 dhe 4 yje, ndërsa resortet dhe strukturat luksoze mund të kushtojnë disa qindra euro më shumë.

Për një qëndrim 5-7 net, kostoja totale e udhëtimit, përfshirë fluturimin dhe akomodimin, llogaritet zakonisht nga 600 deri në mbi 1,200 euro për person, në varësi të periudhës dhe nivelit të hotelit të zgjedhur.

Shtatori po fiton terren si muaj pushimesh

Dikur i konsideruar si fundi i sezonit turistik, shtatori po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga muajt më të preferuar për pushime nga shqiptarët. Agjencitë turistike raportojnë se kërkesa për udhëtime gjatë javëve të para të shtatorit është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke e kthyer këtë periudhë nga një alternativë ekonomike në një zgjedhje të mirëfilltë të konsumatorëve.

Në disa destinacione, rezervimet për shtatorin po afrohen me ato të korrikut, ndërsa një pjesë e strukturave akomoduese raportojnë zënie të lartë edhe pas datës 10 shtator.

Arsyet janë kryesisht ekonomike, por jo vetëm. Në shumicën e destinacioneve mesdhetare, çmimet e akomodimit bien me 15 deri në 30% krahasuar me kulmin e sezonit, ndërsa biletat ajrore dhe paketat turistike ofrohen me tarifa më konkurruese.

Për një familje me katër persona, diferenca mes një pushimi në gusht dhe një pushimi në shtator mund të përkthehet në disa qindra euro kursim, pa hequr dorë nga i njëjti hotel apo destinacion.

Por kursimi nuk është i vetmi motiv. Pushuesit po vlerësojnë gjithnjë e më shumë komoditetin që ofron shtatori. Temperaturat janë më të moderuara, plazhet më pak të mbipopulluara dhe shërbimi në hotele e restorante më i qetë.