Nga Ankaraja, 32 liderët e vendeve të NATO-s u angazhuan të ofrojnë 70 miliardë euro ndihmë ushtarake, pajisje dhe trajnim për Ukrainën gjatë vitit 2026. Në deklaratën e përbashkët, aleatët rikonfirmuan gjithashtu angazhimin ndaj Nenit 5 për mbrojtjen kolektive dhe ritheksuan se Irani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore.
Prania e presidentit amerikan Donald Trump shkaktoi rrëmujë në samit, pasi ai nuk kurseu kritikat ndaj aleatëve edhe pse më vonë, në takimin me dyer të mbyllura zbuti tonet duke folur për “dashuri” dhe “shumë unitet” mes vendeve të NATO-s.
“E ndjeva dashurinë tuaj”, mësohet të ketë deklaruar Trump në takim duke thënë se dëshiron që Shtetet e Bashkuara të mbeteshin pjesë e aleancës. Por, përpara se të zbuste tonet, ai dominoi samitin me një seri deklaratash të forta ndaj aleatëve.
“Këta janë njerëz të këqij dhe të sëmurë. Duhet të shpëtojmë prej tyre. Janë një kancer. Një kancer. Dhe e dini çfarë bëhet me kancerin? Ai duhet shkulur që në fillim”, tha Trump.
Presidenti amerikan u shfaq po aq kritik edhe ndaj aleatëve evropianë në NATO.
“Jam shumë i zemëruar me anëtarët evropianë të NATO-s. Do të flas për gjërat që na shqetësojnë. Groenlanda është një çështje shumë e rëndësishme për ne. Është çështje e sigurisë kombëtare. Ne kemi shpenzuar mbi një mijë miliardë dollarë në dhjetë vjet për të mbrojtur vendet e NATO-s nga Rusia, ndërsa në këmbim jemi trajtuar padrejtësisht. Jam shumë i zemëruar me NATO-n. Ne kemi paguar miliarda e miliarda dollarë, ndërsa të tjerët nuk paguajnë asgjë dhe nuk na ndihmuan gjatë luftës kundër Iranit”, tha Trump.
Në mbrojtje të aleatëve ndërhyri Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili kujtoi se nga Evropa u nisën 5 mijë fluturime në mbështetje të operacionit “Epic Fury” dhe se Spanja tashmë ka arritur nivelin e 2% të shpenzimeve për mbrojtjen.
“Nëse nuk do të ishe ti, kjo nuk do të kishte ndodhur. Është një fitore e madhe e jotja, merre si të tillë”, iu drejtua Rutte Trumpit.
Trump sulmoi edhe Danimarkën, e cila vazhdon të refuzojë shitjen e Groenlandës. Sipas tij, Groenlanda është thelbësore për sigurinë globale.
“Groenlanda është e rëndësishme për mbrojtjen e gjithë botës, jo vetëm të Shteteve të Bashkuara”, theksoi Trump, duke përsëritur dëshirën për ta marrë nën kontroll.
Presidenti amerikan rezervoi kritika të forta edhe për Spanjën, duke thënë se nuk dëshiron më marrëdhënie me Madridin.
“Spanja është një aleat i tmerrshëm. Nuk dua të kem më marrëdhënie me ta. Marrëdhëniet tregtare kanë marrë fund. Është një rast pa shpresë. Ka edhe disa vende të tjera të vështira, por Spanja është veçanërisht armiqësore”, vijoi Trump.
Në të kundërt, ai rezervoi fjalë pozitive për Kinën.
“Kina është sjellë mirë me ne. Unë jam personi numër një në TikTok me rreth 4 miliardë shikime.”
Në mbyllje të samitit, Trump zhvilloi një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës, Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do t’i japin Ukrainës licencën për prodhimin e raketave patriot.










