Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky njoftoi se ministri i mbrojtjes, Mykhailo Fedorov të cilin e shkarkoi dy ditë më parë, do të mbetet pjesë e ekipit të tij, ndërsa përgjegjësitë e reja që do të marrë do të shpallen në një fazë të mëvonshme.

Deklarata erdhi pasi deputetët miratuan shumicën e emërimeve në kabinetin e ri qeveritar, me përjashtim të ministrave të Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme.

“Gjatë kohës së luftës, presidenti nuk duhet të jetë ai që merr vendime në një situatë të tillë. Do të doja të shihja më shumë unitet. Palët nuk kanë arritur ta gjejnë atë, dhe problemi nuk qëndron vetëm te partitë, por edhe te unë”, shprehet Zelensky.

Presidenti ukrainas theksoi se merr përgjegjësinë për situatën politike dhe nuk synon t’i shmanget asaj.

“Unë nuk po e heq përgjegjësinë nga vetja. Fedorov do të mbetet në ekipin tim, por roli i tij i ri do të bëhet i ditur më vonë”, shton ai.

Ndryshimet në qeverinë ukrainase vijnë në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me agresionin rus dhe sfida të mëdha në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe koordinimit të ndihmës ndërkombëtare. Zelensky e shkarkoi Mykhailo Fedorovin pas një takimi me udhëheqjen ushtarake. Vendimi nxiti reagime në qarqet politike dhe ushtarake dhe ngriti pyetje lidhur me mbikëqyrjen e mbrojtjes të Ukrainës ndaj pushtimit të nisur nga Rusia e u pasua me protesta edhe në rrugët e shumë qyteteve ukrainase.

35 vjecari i njohur për aftësitë e tij në teknologji, kishte udhëhequr përpjekjet për transformimin digjital në administratën shtetërore dhe promovoi inovacionin në përdorimin e dronëve si një armë të rëndësishme në luftë.