Në më pak se një orë Kuvendi do të zhvillojë seancën plenare të radhës ku deputetët do të shqyrtojnë një sërë çështjesh që lidhen me procesin e integrimit europian, legjislacionin ekonomik, si edhe veprimtarinë vjetore të institucioneve kushtetuese dhe të drejtësisë.

Teksa deputetët e PS kanë nisur që të vijnë, Partia Demokratike është mbledhur për të vendosur nëse do të vijojnë apo jo bojkotin. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme u shpreh se ata duhet t’i rikthehen punës parlamentare.

“Besoj që edhe kolegët deputetë të opozitës të vijnë në Kuvendin e Shqipërisë. Shpresoj në orën 11:00 të ketë tym të bardhë, në mënyrë që t’i rikthehen punës parlamentare, për të votuar ligjet që lidhen me përafrimin e legjislacionit me acquis communautaire”, u shpreh Balla.

Raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025 kryeson rendin e ditës së seancës së sotme. Një pjesë e madhe e seancës do t’i kushtohet diskutimit dhe miratimit të projektrezolutave për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve kryesore të pavarura dhe të sistemit të drejtësisë për vitin 2025. Mes tyre janë: Avokati i Popullit; Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ); Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP); Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH); Prokuroria e Përgjithshme; Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK); Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD)