Mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit nuk do të lejohen të dalin në det të hapur sot, pasi Kapiteneritë e Porteve Vlorë dhe Sarandë kanë vendosur kufizime për shkak të përkeqësimit të motit në det.

Ndalimi do të jetë deri në orën 06:00 të 25 korrikut dhe prek mjetet dhe skafet që operojnë jashtë gjirit të Vlorës, si edhe në zonat, Dhërmi–Himarë Borsh dhe Ksamil.

Parashikimet flasin për erë në drejtimin veri–veriperëndim me forcë deri në 6–7 ballë, ose 15–25 metra në sekondë, ndërsa dallgët pritet të arrijnë lartësinë nga 1.5 deri në 3.5 metra.

Për mjetet e vogla që lundrojnë brenda gjirit të Vlorës nuk ka ndalim, por Kapiteneria u kërkon drejtuesve të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të kushteve të vështira në det.

Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë lundrimin normalisht sipas itinerareve të planifikuara.

Parashikuesit europianë të motit kanë ngritur nivelin e rrezikut për Italinë juglindore, Detin Jon dhe zonat përreth, për shkak të mundësisë për breshër të madh deri shumë të madh, erëra shkatërruese, reshje intensive, si edhe tornado të izoluara, veçanërisht në zonat bregdetare.