Kuvendi Kombëtar i Protestës, i cili po zhvillohet për herë të parë, është shoqëruar me tensione dhe debate mes organizatorëve dhe pjesëmarrësve.

Gjatë mbledhjes, disa prej të pranishmëve shprehën pakënaqësi për mënyrën e organizimit të aktivitetit dhe për përbërjen e pjesëmarrësve. Njëri prej tyre deklaroi se nuk ndihej i përfaqësuar, duke theksuar se në sallë mungonin shumë prej qytetarëve që kishin marrë pjesë në protestat e mëparshme.

Në një tjetër moment, disa pjesëmarrës kërkuan të merrnin fjalën, por organizatorët refuzuan, duke argumentuar se mbledhja do të zhvillohej sipas rendit të ditës. “Kemi një rend dite dhe nuk do të lejojmë të prishet mbledhja”, u shpreh një prej organizatorëve.

Moderatorja e takimit theksoi se kuvendi ishte i hapur për të gjithë qytetarët dhe se do të kishte hapësirë për diskutime. Megjithatë, tensionet u rikthyen kur një nga organizatorët reagoi ashpër ndaj ndërhyrjeve nga salla, duke përdorur një gjuhë të fortë që shkaktoi reagime mes të pranishmëve.

Situata u tensionua më tej kur një qytetar tentoi të ulej në rreshtin e parë, ndërsa disa persona ndërhynë për ta penguar. Pavarësisht insistimit të organizatorëve, ai refuzoi të largohej nga vendi ku ishte ulur.

Pas qetësimit të situatës, organizatorët vijuan diskutimet, duke theksuar nevojën që lëvizja të mos mbetet vetëm te protestat në shesh, por të ndërtojë edhe hapa konkretë për arritjen e objektivave të saj. Ata sollën si shembull protestat e zgjatura në Serbi, duke argumentuar se një mobilizim i vazhdueshëm, pa një strategji të qartë, nuk sjell domosdoshmërisht ndryshime.