18 muaj pas arrestimit me urdhër të SPAK, një grup avokatësh britanikë janë lejuar që të vizitojnë në qeli kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Prokurorët e SPAK lejuan avokatët ndërkombëtarë të Veliajt që ta vizitojnë atë në qeli pas disa refuzimesh, duke u dhënë leje me status vizitori dhe jo si avokat apo si studio ligjore.

Në përfundim të takimit me të parin e Tiranës, një prej avokatëve të huaj tha se gjatë takimit me Veliajn dhe mbrojtësit e tij shqiptarë, kanë koordinuar strategjinë për ankimin që po përgatisin për t’iu drejtuar Gjykatës së Strasburgut. Më në detaje foli avokati Plarent Ndreca i cili tha se brenda muajit shtator do të kenë gati ankimin për masën e sigurisë, ndërsa shtoi se ekipet e studios ligjore amerikane nuk janë lejuar ende të takohen me Veliajn.

“Kolegët nga Anglia po lejohen për herë të parë pas muajsh kërkesa të vazhdueshme. Edhe pse nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë, është bërë e mundur që një pjesë e ekipit të huaj të vijë e të vizitojë Velijan. Ekipi amerikan nuk është lejuar ende. Takimi lidhet me aplikimin që ne do bëjmë në Strasburg lidhur me masën e sigurimit. Korrëm një fitore në Kushtetuese që e ktheu masën e sigurimit në gjykatë të lartë. Nuk janë pranuar të gjitha pikat, dhe për këto pika ne do të shkojmë në Strasburg. Gjendja e Veliajt është shumë e mirë, është i qartë për çështjen dhe për betejën që ka bërë dhe e pret. Çështja në Strasburg duhet të depozitimet brenda 4 muajve, besoj se do e bëjmë shumë shpejt, në shtator”, tha Ndreca.

Ndreca paralajmëroi edhe njëherë ankim ndaj vendimit të Gjykatës Administrative që rrëzoi kërkesën e Veliajt për ligjshmërinë emërimit të Ols Dados si prokuror.

“Në lidhje me emërimin e Dados e kemi bërë të qartë që do apelojmë vendimin, që nuk na pranoi të legjitimohemi. Është shmangie nga gjykimi, por ka interes për çdo qytetar të republikës së Shqipërisë që do të dije nëse një prokuror në SPAK është i emëruar apo jo në mënyrë të ligjshme. Kjo çështje do vijojë deri kur ne të marrim të drejtën, ashtu siç e kemi marrë kur kemi këmbëngulur. Ne i morëm dosjet, kemi ngritur çështjen e moskomunikimit me avokatët e huaj, kaloi një kohë e gjatë por e morëm komunikimin me avokatët e huaj. Jemi të bindur se ky proces ka nisur i man, përmes një kallëzimi të një personi anonim. Ajo që duhet thënë dhe ne do ta përsërisim, është që ne do të ndjekim çdo lloj ankimi juridik për të çuar çështjen deri në fund”, theksoi Ndreca.

Mbrojtja e Veliajt po e bën gati dosjen për në Strasburg, pasi Gjykata Kushtetuese më 25 maj u shpreh për masën e sigurisë duke e kthyer çështjen edhe njëherë në Gjykatën e Lartë për shqyrtim. Kushtetuesja vendosi 5 me 3 në favor të Veliajt, duke urdhëruar Gjykatën e Lartë, që të argumentojë pse nuk ka pranuar kërkesat e kryebashkiakut për jo proporcionalitet e të masës së sigurisë dhe mbylljen në ka kafazin e xhamtë gjatë seancave gjyqësore.

——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.