Shqipëria ka arritur nivelin më të ulët historik të vrasjeve me dashje, si rezultat i reformave të ndërmarra, forcimit të Policisë së Shtetit dhe investimeve në siguri. Janë këto të dhënat paraprake të raportit mbi kriminalitetin për 6-mujorin e parë të vitit 2026, të cilat janë publikuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lamallari thekson se grafiku krahasimor i vrasjeve me dashje nga viti 2005 deri në vitin 2026 dëshmon transformimin e thellë të parametrave të rendit dhe sigurisë në vend.

“Nga një mesatare prej 49 vrasjesh me dashje në dekadën 2005–2014, sot kemi zbritur në vetëm 18 raste, në nivelet më të ulëta historike, ndërkohë që mesatarja për dekadën e fundit është më shumë se përgjysmuar në 23.4 raste”, thekson Lamallari.

Ministri nënvizon se këto rezultate nuk janë rastësi, por fryt i reformave të qeverisë shqiptare, mbështetjes së vazhdueshme për Policinë e Shtetit dhe vendosmërisë për të luftuar kriminalitetin.

“Kurrsesi që kjo nuk është rastësi, por rezultat i reformave të qeverisë shqiptare, përfshi mbështetjen dhe rezultatet e punës së Policisë së Shtetit, investimeve që ne kemi bërë dhe vendosmërisë për të mos u zmbrapsur në luftën me kriminalitetin”, thekson ai.

Duke folur për projektin “Smart City”, Qendra e Komandimit dhe Kontrollit të të cilit u hap një ditë më parë, Lamallari deklaron se integrimi i inteligjencës artificiale, kamerave inteligjente dhe sensorëve të avancuar për zbulimin e të shtënave me armë zjarri do ta çojë vendin në një fazë të re të parandalimit dhe goditjes së krimit.