Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar këtë të mërkurë, në prag të 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke e cilësuar atë si një nga arritjet më të rëndësishme politike dhe diplomatike në historinë moderne të Ballkanit.
Në një reagim të gjatë, Hoxha thekson se marrëveshja e nënshkruar më 13 gusht 2001 përcaktoi rrjedhën e zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut dhe krijoi bazat për një shtet më demokratik, gjithëpërfshirës dhe multietnik.
Sipas ministrit shqiptar, Ohri dëshmoi se konfliktet ndëretnike në Ballkan nuk zgjidhen përmes forcës, por përmes dialogut, kompromisit politik, respektimit të të drejtave dhe ndërtimit të institucioneve që garantojnë barazi për të gjithë qytetarët.
“Jo ndarjen, por bashkëjetesën; jo fitoren e njërës palë mbi tjetrën, por kompromisin; jo përjashtimin, por ndryshimin e mënyrës se si ndërtohet dhe funksionon shteti për të gjithë”, shkruan Hoxha, duke përshkruar frymën e marrëveshjes.
Ministri nënvizon se Shqipëria e konsideron stabilitetin dhe sigurinë e Maqedonisë së Veriut si pjesë të drejtpërdrejtë të stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.
Ai veçon respektimin e të drejtave të komuniteteve, barazinë, përdorimin e gjuhës, përfaqësimin e drejtë dhe mundësinë që çdo qytetar të ndihet pjesë e shtetit si elementë thelbësorë jo vetëm për demokracinë, por edhe për paqen dhe sigurinë në rajon.
Një pjesë e veçantë e reagimit të ministrit i kushtohet shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Hoxha shprehet se Marrëveshja e Ohrit njohu shqiptarët si “pjesë thelbësore të shoqërisë dhe pjesë shtetformuese” të vendit.
“Të drejtat e tyre nuk janë një koncesion i dhënë nga shumica dhe as një privilegj që mund të rishikohet sipas klimës politike të momentit”, thekson ai.
Sipas Hoxhës, një shtet që garanton identitetin, gjuhën, kulturën dhe të drejtat e komuniteteve është më i fortë, ndërsa komunitetet që ndihen të barabarta dhe të përfaqësuara kanë më shumë arsye ta shohin shtetin si të tyrin dhe të investojnë në të ardhmen e tij.
Ministri argumenton se Marrëveshja e Ohrit nuk duhet të trajtohet thjesht si një dokument historik, por si një “kontratë politike” që kërkon zbatim dhe vëmendje të vazhdueshme.
Në këtë kuadër, Hoxha i referohet edhe debateve të fundit mbi përdorimin e gjuhës shqipe në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se të drejtat e fituara në vitin 2001 kërkojnë “vëmendje dhe kujdes institucional të vazhdueshëm”.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut e vitit 2026 është një vend ndryshe nga ai i vitit 2001 dhe edhe Marrëveshja e Ohrit duhet të lexohet në funksion të së ardhmes.
Në reagimin e tij, ministri përsërit qëndrimin e Shqipërisë se do të vijojë të mbështesë të drejtat e shqiptarëve kudo ku jetojnë, por njëkohësisht edhe sovranitetin, integritetin territorial dhe funksionimin demokratik të shteteve ku ata jetojnë.
“Këto dy qëndrime nuk bien në kundërshtim. Përkundrazi, janë pjesë e të njëjtit parim: të drejtat e komuniteteve dhe forca e shtetit nuk janë kundërshtare. Njëra e forcon tjetrën”, shprehet Hoxha.
Ai e lidh frymën e Ohrit edhe me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën evropiane të vendit.
Në përfundim, Hoxha thekson se 25 vite pas marrëveshjes, sfida nuk është vetëm të kujtohet fundi i konfliktit, por të ruhet dhe konsolidohet paqja.
“Ohri e hapi këtë rrugë njëzet e pesë vjet më parë. Detyra e brezit të sotëm është ta çojë më tej”, përfundon ministri.










