Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Shkodër ka konfirmuar gjobitjen me 10,000 lekë të reja për drejtuesin e mjetit të jet-skisë, i cili në video të publikuara në rrjet, shfaqej së bashku me dy të tjerë duke bërë manovra të rrezikshme në bregdetin e Velipojës, pa pasur jelekë shpëtimi.

Në lidhje me rastin ka reaguar menjëherë policia e cila bën me dije se nga verifikimet e kryera ka rezultuar se mjeti lundrues Jet Ski, i certifikuar për të mbajtur 3 persona, është në pronësi të një operatori turistik, me administrator shtetasin F. Sh. Ndërsa thuhet se për drejtuesin e mjetit është firmosur gjoba prej 100 mijë lekësh (të vjetra).

Po ashtu, bëhet me dije se drejtuesi i mjetit, është shoqëruar për në Stacionin e Policisë Kufitare Pulaj, nga ku pastaj u ndëshkua me masë administrative.

Njoftimi i Policisë:

DVKM Shkodër

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqen pa jelekë shpëtimi, duke lundruar me Jet Ski, sqarojmë se:

Nga verifikimet e kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare rezultoi se mjeti lundrues Jet Ski, i certifikuar për të mbajtur 3 persona, është në pronësi të një operatori turistik, me administrator shtetasin F. Sh.

Videoja është filmuar ndërkohë që 3 punonjës të operatorit turistik po lundronin brenda korridorit nr. 2, i destinuar për hyrje-daljen e mjeteve lundruese.

Drejtuesi i mjetit lundrues u shoqërua në Stacionin e Policisë Kufitare Pulaj dhe u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë të rinj, për mosrespektim të rregullave të sigurisë gjatë lundrimit, (pasi nuk ishin pajisur me jelekët e shpëtimit 3 shtetasit).

Policia e Shtetit apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të sigurisë gjatë përdorimit të mjeteve lundruese, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe parandalimin e ngjarjeve që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve.