Sipas një njoftimi zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes këtë të premte, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë territorin e vendit janë regjistruar 30 vatra zjarri, nga të cilat 8 vijojnë të jenë aktive. Për menaxhimin e situatës, janë angazhuar 502 forca operacionale dhe 54 mjete zjarrfikëse.

Bëhet e ditur gjithashtu se në mbështetje të ndërhyrjeve janë përfshirë gjithashtu 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Njoftimi i plotë i Ministrisë:

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 30 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive.

Përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura,në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe 502 forca operacionale, ndërsa në mbështetje janë angazhuar 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Në Dajt vijon puna për shuarjen e zjarrit. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Priskë dhe Çakallesh gjithashtu vijojnë operacionet, pa rrezik për komunitetin.

Në Riban, Ngraçan dhe Panahor, bashkia Mallakastër, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në një terren të vështirë. Aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe Mjekësit. Zjarri në Shqiponjë është nën kontroll, ndërsa vatra në malin e Dardhës është izoluar. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Kostren 2, bashkia Berat, vijon puna për shuarjen e vatrës së riaktivizuar, me angazhimin e forcave dhe mjeteve zjarrfikëse.

AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin.