Një 40-vjeçare ka sjellë në jetë dy binjakë të shëndetshëm, edhe pse në javën e 34-t të shtatzënisë u përball me një komplikacion të rrallë në murin e barkut, që kërkonte ndërhyrje të menjëhershme.

Gruaja kishte arritur shtatzëninë përmes fertilizimit in vitro, ndërsa rasti kërkonte bashkëpunimin e disa ekipeve mjekësore. Mjekët e Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, së bashku me ekipin e QSUT, realizuan në të njëjtën ndërhyrje si lindjen e binjakëve, ashtu edhe korrigjimin kirurgjikal të komplikacionit.

Dy foshnjat erdhën në jetë të shëndetshme, ndërsa edhe nëna është në gjendje të mirë shëndetësore. Sipas njoftimit, ndërhyrja u bë e mundur falë bashkëpunimit multidisiplinar të ekipeve mjekësore, që menaxhuan me sukses një rast të rrallë dhe kompleks.