Një 23 vjeçare, me inicialet E.GJ, pronare lokali në Velipojë është ndëshkuar me gjobë 200 mijë lekë, pasi gjatë kontrolleve të Policisë u konstatua se muzika në ambientin që ajo kishte në administrim, ishte mbi nivelin e lejuar.

Inspektimi i Policisë së Shkodrës dhe stacionit të Velipojës vjen në vazhdën e kontrolleve që po kryhen në terren bazuar në hartëzimin e zonave me risk për ndotje akustike dhe ankesat e qytetarëve. Gjatë verifikimeve u testuan me matës zhurme disa ambiente dhe subjekte në zonat turistike, për të kontrolluar zbatimin e kufijve të lejuar të zhurmës.

Policia bëri të ditur se, krahas matjes së nivelit të zhurmës, janë ushtruar kontrolle edhe për respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00. Ndërkohë, kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik veror.