Zyrtarët e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara kanë shprehur dyshime mbi një paralajmërim të përcjellë nga Izraeli për një kërcënim iranian për vrasjen e presidentit amerikan Donald Trump gjatë vizitës së tij në Turqi, raporton Washington Post.

Sipas raportimit, analistët e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) nuk e konsideruan informacionin bindës, ndërsa një zyrtar amerikan tha se ai ishte vlerësuar me “besueshmëri të ulët”.

Megjithatë, paralajmërimi solli masa të jashtëzakonshme sigurie për presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Pas marrjes së informacionit për kërcënimin, Trump u transportua në mënyrë të fshehtë me një kamion furnizimi ushqimor të aeroportit drejt një avioni ushtarak alternativ, me të cilin u largua nga Ankaraja drejt Britanisë.

Sipas raportimit, disa burime të inteligjencës amerikane besonin se Izraeli mund ta kishte përcjellë paralajmërimin edhe në përpjekje për të ndikuar politikën e Trump në rajon.

Një zyrtar tha se rasti përputhej me një model më të gjerë raportimesh të inteligjencës izraelite, për të cilat disa zyrtarë amerikanë dyshojnë se kanë synuar gjithashtu të ndikojnë vendimmarrjen e presidentit.

Sipas një zyrtari amerikan, Izraeli është i shqetësuar për afrimin e marrëdhënieve mes Washington-it dhe Ankarasë, si dhe për raportin mes Trump dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdogan