Dy vatra zjarri janë aktive në qarkun Dibër, njëra në Selishtë të Bashkisë Dibër dhe tjetra në territorin e Bashkisë Bulqizë. Flakët në Selishtë kanë nisur që në orët e para të mëngjesit dhe vijojnë të jenë aktive.
Në terren janë angazhuar punonjës të Bashkive Dibër dhe Bulqizë, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, strukturat e Emergjencave Civile dhe banorë të zonës.
Ndërhyrja po kryhet në kushte të vështira për shkak të terrenit, ku mjetet zjarrfikëse kanë vështirësi në lëvizje dhe afrimin pranë vatrave.
Situata komplikohet edhe nga era e fortë, e cila favorizon përhapjen e zjarrit dhe e bën më të vështirë izolimin e flakëve.
Një tjetër vatër është raportuar në Qafën e Helmes, në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë, pranë kufirit me Selishtën.
Për përballimin e kësaj vatre janë angazhuar edhe forcat zjarrfikëse të Bashkisë Bulqizë. Ekipet në terren po vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e zjarreve.










