Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH ka dalë me një reagim në “Facebook” lidhur me mungesën e një hyrje-daljeje në zonën e Papërit, përgjatë Autostradës së re Elbasan-Rrogozhinë. ARRSH në njoftim bën me dije se projekti parashikon ndërtimin e një nyjeje në Papër, e cila do të mundësojë lidhjen e zonës së Papërit, Cërrikut dhe territoreve përreth me autostradën.
Ndër të tjera, ARRSH sqaron se ndërtimi i kësaj nyjeje nuk është përfshirë në kontratat të cilat janë aktualisht në proces zbatimi. Sipas njoftimit, ajo është planifikuar të realizohet në një fazë të mëtejshme.
“Në lidhje me informacionet e publikuara së fundmi mbi mungesën e një hyrje-daljeje në zonën e Papërit, përgjatë Autostradës së re Elbasan–Rrogozhinë, Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaron se projekti i kësaj vepre infrastrukturore parashikon ndërtimin e një nyjeje në Papër, e cila do të mundësojë lidhjen e zonës së Papërit, Cërrikut dhe territoreve përreth me autostradën.
Sqarojmë se ndërtimi i kësaj nyjeje nuk është përfshirë në kontratat aktualisht në proces zbatimi. Ndërtimi i saj është planifikuar të realizohet në një fazë të mëtejshme, në përputhje me planifikimin dhe vijimësinë e projektit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar mbetet i angazhuar për informimin e vazhdueshëm dhe transparent të publikut mbi ecurinë e projekteve infrastrukturore dhe vlerëson rëndësinë e informimit të saktë dhe të verifikuar për çështje me interes publik.
Për çdo informacion të mëtejshëm lidhur me projektin dhe ecurinë e punimeve, Autoriteti Rrugor Shqiptar mbetet në dispozicion. Faleminderit për mirëkuptimin”, njofton ARRSH.










