Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i cilësoi kërcënuese deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke kërkuar që ato të adresohen me partnerët ndërkombëtarë.

Duke folur në Konferencën e Ambasadorëve të Kosovës, Haxhiu tha se diplomatët kosovarë duhet t’i informojnë qeveritë e vendeve ku shërbejnë për pasojat që, sipas saj, mund të ketë një ndërhyrje e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare. Ajo theksoi se sistemi Ibër-Lepenc dhe liqeni i Ujmanit janë jetikë për furnizimin me ujë, energjinë dhe bujqësinë në Kosovë.

“Në anën tjetër, Serbia vazhdon politikën e saj hegjemoniste ndaj Kosovës, një tjetër shqetësim serioz që duhet të adresohen me partnerët tanë ndërkombëtarë janë edhe deklaratat e fundit të Vuçiqit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Siç e dini për letencën dhe liqenin e Ujmanit, janë pjesë e një sistemi epik për furnizim me ujë për energjinë bujqësinë dhe jetën e qindra mijërave qytetarëve të Kosovës. Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasoja shumë përtej një çështjeje teknike. Nga se do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës tonë. Për këtë arsye, diplomatët tanë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në kryeqytetet ku shërbejnë, dhe t’i informojnë qeveritë e vendeve pritëse për natyrën dhe pasojat e kësaj ideje absurde sa edhe kërcënuese. Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe se ide të tilla që ringjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar. Kosova pret nga partnerët e saj që çdo veprim që rrezikon burimet ujore jetike për vendin të trajtohet me përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare, përfshirë edhe përdorimin e drejtëve të arsyeshme të tyre dhe detyrimin për të parandaluar dëmin e konsiderueshëm ndërkufitar” tha Haxhiu.