Bashkimi Evropian e konsideron paralajmërimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për devijimin e rrjedhës së lumit Ibër si një veprim në kundërshtim të plotë me frymën dhe objektivat për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësja e BE-së për Çështje të Jashtme, Annita Hipper, nënvizoi se çdo përparim i palëve në rrugën e integrimit evropian kalon vetëm përmes dialogut konstruktiv.

“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshimet e mundshme të rrjedhës së lumit dhe veprimet nuk e mbështesin këtë objektiv për të pasur një marrëdhënie normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut. Gjithashtu, rikujtojmë se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që secila palë të përparojë në rrugën europiane”, tha zëdhënësja e BE, Annita Hipper.

Reagimi i Brukselit vjen pasi Vuçiç njoftoi javën e kaluar se ka angazhuar inxhinierë e ekspertë për të rishikuar rrjedhën e lumit.

Presidenti serb e arsyetoi këtë masë si përgjigje ndaj veprimeve të Qeverisë së Kosovës në veri, specifikisht mbylljes së strukturave paralele serbe, si zyrat e postës e bankave, si dhe shtrirjes së kontrollit të Policisë së Kosovës duke e përdorur devijimin e ujit si mjet presioni ndaj Prishtinës zyrtare.

https://tvklan.al/be-i-pergjigjet-vucic-per-ndryshimin-e-rrjedhes-se-ibrit