Në vendet e Bashkimit Europian, ku Shqipëria po përgatitet të anëtarësohet, një nga sfidat më të mëdha që lidhet me lirinë e shtypit është lufta ndaj kancerit të dezinformimit. Të ashtuquajturat “fake news”, ose lajmet e rreme, përhapen lehtësisht në rrjetet sociale dhe shpërndahen me shpejtësi maramendëse falë algoritmeve që i bëjnë më të dukshme lajmet me më shumë klikime. Kjo do të thotë se, sa më i rremë të jetë një lajm, aq më shumë lexohet dhe, për pasojë, aq më shumë shpërndahet. Kështu krijohet një qark i shkurtër informativ, ku e pavërteta mbizotëron mbi të vërtetën. Është një mekanizëm në dukje pervers, por pikërisht për këtë arsye nuk mund të zgjidhet me një logjikë konvencionale.
Instinkti i parë për të frenuar këtë përhapje të informacionit të rremë është, në fakt, ai i vendosjes së kufizimeve mbi qarkullimin e lajmeve, sikur më pak lajme të nënkuptonin automatikisht lajme më cilësore. Por tregu i informacionit nuk funksionon si çdo treg tjetër, ku pakësimi i mallit në qarkullim ia rrit vlerën. Me lajmet ndodh pikërisht e kundërta. Ja pse përpjekja që po bëjnë shumë institucione shqiptare për të kufizuar informacionin në dispozicion të gazetereve rrezikon të prodhojë si pasojë të parë, dhe shkatërruese, pikërisht përhapjen edhe më të madhe të kancerit të lajmeve të rreme.
Rregullorja e re e firmosur nga kryetari i GJKKO-së, e cila vendos një formë të fshehtë të censurës paraprake ndaj gazetarëve që duan të ndjekin dhe dokumentojnë seancat e zhvilluara në gjykatën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është vetëm shembulli më i fundit i një mentaliteti kufizues që, në vend ta frenojë, po e përhap edhe më shumë në Shqipëri qarkullimin e lajmeve të rreme.
E njëjta metodë zbatohet prej kohësh edhe nga qeveria dhe ministritë. Komunikimi institucional, i kufizuar në njoftime zyrtare dhe në konferenca të rralla për shtyp, nuk mjafton për të përmbushur nevojat e gazetarëve, të cilët, për të mos gabuar, kanë nevojë të njohin në detaje çështjet për të cilat raportojnë. Por zëdhënësit e të gjitha institucioneve, nga SPAK-u te Prokuroria e Përgjithshme, nga Doganat te bashkitë, nga Kryeministria te çdo ministri apo institucion tjetër shtetëror, nuk janë të autorizuar t’u përgjigjen pyetjeve. Funksioni i tyre i vetëm duket se është të shkruajnë dhe të shpërndajnë në WhatsApp njoftime për shtyp sipas porosive të eprorëve, të cilat, në shumicën e rasteve, janë aq të përgjithshme sa nuk shpjegojnë asgjë.
Janë të gjithë zëdhënës pa zë. Në të njëjtën mënyrë sillen edhe shumica e ministrave dhe drejtuesit e institucioneve. Askush nuk jep përgjigje dhe, për pasojë, askush nuk sqaron.
Marrëdhënia mes gazetarëve dhe institucioneve shqiptare bazohet mbi një mosbesim absolut, ku Rregullorja-Bani përbën vetëm shembullin më të dukshëm, sepse, ndryshe nga institucionet e tjera, GJKKO-ja e ka vënë këtë mosbesim me shkrim. Gazetarët shihen si një kërcënim për sigurinë e institucioneve, dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndë. Nuk do të ishim korrektë nëse nuk do të bënim edhe ne gazetarët një autokritikë. Për shumë prej nesh (por jo për të gjithë!!!), të shpikësh është shumë më e lehtë sesa të verifikosh, dhe shpesh ai që shpik një lajm nuk e bën këtë vetëm për mungesë informacioni, por edhe nga keqdashja. E bën sepse kështu ia kërkon botuesi i tij, ose partia e tij, ose financuesi i tij. Këta lloj “gazetarësh” janë përhapësit e kancerit, por heshtja e institucioneve, që refuzojnë t’u përgjigjen kujtdo, u ofron atyre alibinë për të vazhduar të gënjejnë.
Në demokracitë liberale, nga Shtetet e Bashkuara deri te Bashkimi Europian, tashmë është kuptuar se e vetmja pengesë e mundshme kundër përhapjes së fake news është t’u kërkohet ndihmë gazetarëve profesionistë, të cilët në shumë raste ngarkohen të verifikojnë lajmet që qarkullojnë përmes një pune të mirëfilltë hetimore (fact checking). Me pak fjalë, gazetarët seriozë ‘’perdoren’’ nga institucionet për t’i ndihmuar ato të luftojnë kundër gazetarëve të rremë: njësoj siç ndodh me hakerët e mirë, të përfshirë në luftën kundër hakerëve të këqij. Në Shqipëri, përkundrazi, institucionet nuk bëjnë asnjë dallim. Për to, ne gazetarët jemi të gjithë të kalbur, të gjithë të këqij, të gjithë genjeshtarë. Në Rregulloren e Banit thuhet shprehimisht se gazetarët, pa asnjë dallim, renditen në vendin e fundit në shkallën e përparësisë ndër ata që kanë të drejtë të ndjekin një proces gjyqësor.
Rezultati është se censura po bëhet forma normale me të cilën administrohet komunikimi publik dhe shumë pak skandalizohen për këtë, deri në atë pikë sa disa media nuk e kanë kuptuar ende sa e rëndë është Rregullorja e GJKKO-së, kundër së cilës janë shprehur tashmë të gjitha shoqatat vendase dhe ndërkombëtare të gazetarëve, ndërkohë që edhe OSBE-ja ka nisur një proces verifikimi. Ka edhe raste ekstreme, kur disa furçaxhinj të maskuar si gazetarë mbrojnë censurën. Por, për fat të mirë, ata përbëjnë një pakicë aq qesharake, sa nuk vlejnë as për statistikë.
Institucionet harrojnë se, pa pasur akses në detajet e lajmeve, edhe gazetari më i mirë ose më i ndershëm rrezikon të bëhet prodhues i fake news. Nëse gazetarëve u mohohet qasja te e vërteta, është e natyrshme që ata të gabojnë dhe, pa dashje, të përhapin të pavërteta. Ky paragjykim ndaj dobësisë së rolit tonë është tashmë aq i rrënjosur, saqë në analizën e tij të gjatë mbi origjinën e protestës së Flamingove, edhe Kryeministri (dikur gazetar) ka harruar të përmendë mediat. Ai nuk i përmend kurrë as kur kuptoi se ndër shkaqet e pakënaqësisë kishte qenë mungesa e komunikimit me popullin.
Ja pra, zoti Kryeministër: në atë proces komunikimi duhet të ishim të përfshirë edhe ne gazetarët. Prandaj, nëse procesi i transparencës nuk ka funksionuar, kjo nuk ka ndodhur vetëm sepse deputetët, drejtorët apo ministrat nuk flasin me qytetarët, por edhe sepse nuk flasin me gazetarët.
Le të rifillojë Besa edhe nga këtu./Shqiptarja.com










