Giorgio Chiellini nuk përmendi emra konkretë, por zbuloi se merkatoja e Juventusit ende nuk ka përfunduar. Nga “Grimaldi Forum” në Monte Carlo, pas shortit që i rezervoi Juventusit përballjet në fazën e Europa League ndaj Real Sociedad, Celta Vigo, Ferencvaros, Rennes, Omonia, Hapoel Beeer Sheva dhe NEC Nijmegen, Chiellini foli për mikrofonat e “Sky Sport”.

“Na kanë qëlluar dy skuadra spanjolle, por objektivi ynë është të shkojmë sa më larg. Kemi shmangur disa transferta të komplikuara dhe tani duhet të tregojmë në fushë se e meritojmë të jemi në këto pozicione.

Objektivi? Si ne, ashtu edhe Milani, kemi përgjegjësinë për të arritur një rezultat që të na mundësojë të luftojmë edhe për një vend më shumë në Champions League. Jemi dy skuadra që e duan këtë objektiv, duke qenë të vetëdijshme për vështirësitë e ndeshjeve, edhe në kampionat”, tha ai.

Duke folur për garën në kampionat, Chiellini theksoi: “Për të fituar në Itali, Interi ka një avantazh të madh ndaj skuadrave të tjera. Spalletti është një vlerë e rëndësishme. Ekziston dëshira për të konkurruar, por nga këtu deri te rikthimi te titulli nuk është aspak e lehtë. Varet edhe nga skuadrat e tjera dhe nga dëmtimet.

Ne mendojmë vetëm për veten tonë. Kemi shtuar personalitet dhe soliditet, pikërisht ato elemente që sezonin e kaluar nuk na lejuan të arrinim rezultate të rëndësishme. Krahasuar me sezonin e kaluar, skuadra është më e fortë dhe ne jemi gati”, tha Chiellini.

Chiellini u ndal edhe te dëmtimi i Kenan Yildiz, duke konfirmuar mungesën e turkut.

“Dëmtimi i Kenanit është i rëndë, por brenda grupit ka optimizëm dhe besim. Në ditët në vijim do të ketë edhe komunikime të tjera mjekësore. Ai do të mungojë për disa muaj, por fatmirësisht nuk është një dëmtim që do të rrezikojë karrierën e tij. Është thjesht një pengesë e vogël. Do të përpiqemi t’u japim hapësirë lojtarëve të tjerë që luajnë në pozicionin e tij”, tha drejtuesi i Juventusit.