Gjerdani me diamante i Mbretëreshës Nazli të Egjiptit është vjedhur nga një muze në Vjenë. Mediat e huaja shkruajnë se varsja ishte e ekspozuar në një ekspozitë bizhuterish në Muzeun e Arteve të Aplikuara (MAK).
Ajo është prodhuar nga Van Cleef & Arpels dhe përmban 673 diamante që peshojnë më shumë se 200 karat. Grabitja ndodhi një ditë më parë rreth orës 14:00 në prani të vizitorëve të ekspozitës. Hajdutët thyen një vitrinë prej xhami përpara se të largoheshin nga muzeu në drejtim të paditur.
Grabitje spektakolare në muzeun e Vjenës, vidhet gjerdani me 673
Gjerdani dikur i përkiste Mbretëreshës Nazli të Egjiptit, e cila ishte bashkëshortja e Mbretit Fuad I të Egjiptit nga viti 1919 deri në vdekjen e tij në vitin 1936. Ata patën pesë fëmijë së bashku, përfshirë Mbretin Farouk I të Egjiptit. Mbretëresha Nazli e mbajti gjerdanin në dasmën e vitit 1939 të vajzës së saj, Fawzia, me Mohammad Reza Pahlavi, Shahun e ardhshëm të Iranit. Bizhuteria u shit në ankand në vitin 2015 për rreth 4,3 milionë dollarë (rreth 3,7 milionë euro).
Policia ka identifikuar dy autorë, ku sipas përshkrimit burrat janë afërsisht 170–175 centimetra të gjatë, me trup të hollë, me flokë dhe mjekër të errët. Ata mbanin veshur rroba të zeza.










