Ai fitoi më në fund e fitoi Nobelin. Por a do t’i mbijetojë reputacioni i tij jetës së tij private skandaloze?

Nga Maya Jaggi, The New Statesman

“A është dashakeqësi të rrëmosh për dobësitë e një gjeniu mes fishekzjarreve dhe festave” me të cilat bota e nderon atë? Ky epigraf dinak i bografisë së Mario Vargas Llosa-s, shkruar nga Gerald Martin, e merr përgjigjen nga vetë subjekti i librit, i cili i pati shkruar këto fjalë në lidhje me Brehtin: “Jo nëse gjeniu… ka dashur jo vetëm të jetë një shkrimtar i mirë, por… një lord i çështjeve politike dhe morale.” Mos vallë Vargas Llosa ka dashur t’i udhëheqë ndërgjegjet e njerëzve në këtë drejtim?

Laureati i Nobelit në letërsi, i cili vdiq prillin e kaluar në moshën 89-vjeçare, ishte romancieri më i ri bumit të letërsisë amerikano-latine të viteve 1960-të. Transformi i tij dramatik politik, nga revolucionar në “rebel radikal” u shoqërua nga humbja në zgjedhjet presidenciale të Perusë më 1990-ën, në të cilat kandidoi me një platformë theçërizmi Andean. Kur e intervistova në shtëpinë e tij në Knightsbridge gati dhjetë vjet më vonë, Vargas Llosa qeshi pa ndonjë mëri të dukshme me “gabimin e tmerrshëm” të kandidimit, për të cilin nuk qe penduar aspak: “Mësova shumë për Perunë, politikën dhe për veten time.”

Teksa gërmon në thellësitë autobiografike të letërsisë së Vargas Llosas, në biografinë çmitizuese, pa admirim dhe shpesh therëse të tij, Martin heton marrëdhënien kryesisht të paekazminuar nga vetë shkrimtari në lidhje me politikën dhe të letërsinë e tij. Ndonëse jo plotësisht i autoritzuar, projekti që nisi pasi dhënies së Nobelit Vargas Llosas më 2010-ën, fitoi bashkëpunimin e subjektit të tij dhe disa mbështetës të rëndësishëm, përfshi Gabriel Garcia Marquezin (gjithashtu subjekt i një biografie nga Martin). Por, në një fotografi tejet domethënëse të përfshirë në libër, Vargas Llosa me një vështrim të rreptë tund një gisht kritikues ndaj biografit të tij, i cili po qesh i pashqetësuar para tij.

Vetë jeta e Vargas Llosas nis me një gënjeshtër të amdhe. I lindur më 1936-ën në Arequipa, një qytet malor “i bardhë” i ndërtuar me gurë vullkanikë, ai u shpërngul një vit më pas në Bolivi për të jetuar tek familja e të ëmës, e cila i kishte thënë se babai i kishte vdekur. Në Peru, kur ishte dhjetë vjeç, e ëma u pajtuar me Ernesto Vargasin, një oficer i marinës tregtare peruane. Ernesto ishte i dhunshëm me djalin e tij të llastuar. Më pas doli se ai ishte ende i martuar me gruan e tij të dytë. Martin e rrëfen zbulimin e gënjeshtrës përmes teknikës dualiste të vetë Vargas Llosas. Ashtu siç romanet e këtij të fundit shpesh ndërthurin narrativa kundërthënëse, edhe Martin tregon fillimisht për pafajësinë e djaloshit dhe më pas tronditjen e tij në retrospektivë gjatë kapitujve pasardhës. Vargas Llosa pati “dhjetë vite idilike pa baba, që u pasuan nga dhjetë vite brutale me një baba tiran.” Mbetet e paqartë nëse ai në fakt ka lindur në shtëpinë e familjes Llosa në Arëquipa (e kthyer në muze nga viti 2014 dhe ku pashë hologramën e tij), apo nëse, siç pëshpëritet në zonë, ka lindur në një hotel sepse Llosat nuk e pranuan vajzën e tyre shtatzënë. A ishte martesa e tyre e detyruar për shkak të shtatëzanisë? Vargas Llosa “duket se nuk e ka kërkuar kurrë” të vërtetën, duke preferuar që në memuarin e tij “Peshku në Ujë”, të flijojë kompleksin e “inferioritetit social” të të atit në vend që të fajësojë familjen e të ëmës për mashtrimet poshtëruese në vitet e tij të para të jetës.

Prindërit e Marios konsideroheshin “zyrtarisht të bardhë” në një vend me dallime të thella sociale. Deri në pavarësinë e saj më 1821, Peruja ishte zemra e regjencës mbretërore në Perandorinë amerikanojugore të Spanjës, e populluar kryesisht nga “indianë Quechua me veshje lokale ose nga qytetarë racëpërzierë të njohur me emërtimin cholos dhe cholas.” Në familjen llosa, pavarësisht “atmosferës dhe sjelljeve koloniale,” kishte dy “jetimë” cholo, njëri prej të cilëve ishte djali i jashtëligjshëm Jorge-s, xhaxhait të Marios: “Statusi i tij qëndronte mes të qenit anëtar i familjes dhe shërbyes, por gjithsesi më pranë shërbyesve.” Martin, i cili shpenzon më shumë kohë me Erneston e vetërealizuar se sa me snobizmin e Llosave dhe lidhjeve të tyre shoqërore, e nxjerr në pah prirjen e Vargas Llosas për të fajësuar Perunë në lidhje me dështimet morale të familjes së tij.

Shkolla ushtarake, një karrierë e shkurtër si gazetar kronike dhe udhëtimet në Madrid dhe Paris ushqyen romanet e tij të prara brillante. Akademia ushtarake e Limas, më pati thënë Vargas Llosoa, ishte “shoqëria peruane në miniaturë… Ishte një klimë shpërthyese ku të gjithë paragjykoheshin, me tensione dhe dhunë të jashtëzakonshme.” Në romanin e tij të parë, “Koha e Heroit,” akademia shndërrohët në një mikrokozmos brutal të diktaturës ushtarake të Gjeneralit Manuel Odria të viteve 1948-1956, edhe pse Martin hedh poshtë një legjendë sipas të cilës kopjet e romanit u dogjën në mjediset e akademisë.

Më tepër hiper realist se sa autor i realizmit magjik, Vargas Llosa u ndikua nga Floberi, Sartri, e madhe edhe Artur Milleri. Drama e tij e parë, “Fluturimi i Inkasve,” ishte një “dramë folkneriane” para se ai ta kishte lexuar mjeshtrin. Injoranca e tij në lidhje me letërsinë e kontinentit të cilit i përkiste u thye nga leximet e Borgesit dhe Bioy Casaresit në revistën “Sur” në Buenos Aires. Ai lexoi realizmin e mrekullueshëm të guatemalasit Miguel Angel Asturias dhe kubanit Alejo Carpentier. Sipas Martinit, ndërsa Vargas Llosa “shfaqej si më interesanti i realistëve,” ai ishte “po aq problematik, obsesiv dhe fantazues…. Sa Balzaku.” Ai “nuk reflektonte thuajse asgjë jashtë mendjes së tij” – një “iluzion realist mjeshtëror” i mbajtur gjallë për 60 vite.

“Njeriu duhet të shkruajë ashtu siç rremonin dikur skllevërit, mëngjes, drekë, darkë, veçanërisht kur je një shkrimtar nga një vend i pazhvilluar,” shkruan Vargas Llosa. Disiplina e tij e hekurt dhe “dëshira e ethshme për të fituar,” sipas fjalëve të Martini, nuk mbartte kurrfarë bohemianizmi. Megjithatë, ja si e përshkruante procesin e të shkruarit të romaneve: “Jam në kufijtë e çmendurisë: kur ulem para makinës së shkrimit ndiej zemërim, rrahje të shpejtuara të zemrës, urrejtje, neveri, më vjen për të vjellë, më merren mendtë.” Martin e cilëson si “borgjez në sipërfaqe dhe bajronesk” në thellësi.

Në moshën 19-vjeçare u martua me hallën e tij Julia, e cila ishte kunata e xhaxhait të tij dhjetë vjet më e madhe se ai (jo 13 siç shkruan në memuarin e tij), çka u bë baza e romanit të tij më të famshëm dhe më komik, “Teze Hulia dhe Skenaristi,” botuar më 1977. U nda prej saj për t’u martuar me kushërirën e parë, dhjetë vjet më e vogël se ai. Biografia e përshkruan Patrician, vajzën e Lucho-s, xhaxhai i preferuar i Vargas Llosas dhe një lloj babai për të, si të qe thuajse motra e tij. E shkatërruar nga ngjarja, Olga, bashkëshortja e Luxho-s, iu ankua një prej miqve të Vargas Llosas: “Në fillim u martua me motrën time. Pastaj u nda. Tani do që të martohet me time bijë. Është e papranueshme.” Ai del këtu si një dashnor cinik dhe hipokrit, i cili e joshi sërish bashkëshorten e tij Hulia për ta patur thjesht si mburojë për aferën skandaloze me Patrician, e cila ishte teknikisht mbesa e tij.

Sipas Martinit, romani “Shtëpia e Gjelbër” u frymëzua nga “fantazitë e pareshtura perverse, sadiste dhe shpesh pornografike rreth Lolitës së tij nga Lima.” Libri u shkrua krahas një mali me letra drejtuar adoleshentes Patricia – letra që çifti më pas i shkatërroi – dhe “stërhollimet e tij letrare në lidhje me bordellon… me gjasë nuk priten mirë nga feministet,” shkruan Martin. Në libër, tri vajza adoleshente të cilat rrëmbehen dhe përdhunohen, në fund iu pëlqen e gjithë kjo. Po aq i dyshimtë është edhe këndvështrimi i Vargas Llosas, sipas të cilit të shkruarit është një akt i ndikuar nga libido. Tek “Festa e Cjapit,” që përshkruan diktaturën e Truhijos në Republikën Dominikane, rrëfimi shtyhet kah një përdhunim, ku lexuesi përfshihet si vëzhgues, për mua shkatërroi një roman që mund të kishte qenë një kryevepër e romaneve për diktatorët dhe që mund të vendosej krah veprave të Garcia Marquezit dhe paraguajanit Augusto Roa Bastos.

Vargas Llosa ndoqi universitetin në Lima bashkë me “cholos, ateistë dhe komunistë” por, argumenton Martin, ai më tepër shkonte nga frynte era dhe nuk qe ndonjë revolucionar. Autori peruan Hector Bejar e gozhdoi duke e përshkruar si një “pituco limeno klasik (djalë borgjez nga Lima),” i cili “i sheh me përçmim njerëzit.” Ndërsa kritikët perëndimorë i kanë lëvduar qëndrimet e tij antidiktatoriale dhe pro fjalës së lirë, kjo biografi është më skeptike në këtë aspekt. Vargas Llosa rrallë herë e pati kritikuar politikën e jashtme amerikane, edhe pas grushtit të shtetit të 1973-it të sponsorizuar nga CIA kundër një presidenti socialista të zgjedhur në mënyrë demokratike në Kili. Megjithatë, “që të merrej seriozisht nga intelektualët e kontinentit të tij,” ai mbështeti verbalisht Kubën e Kastros. Shkëputja e tij më pas prej saj në fillim të viteve 1970-të, e ndau përgjithmonë nga rivalët e tij të bumit latinoamerikan. Grushti i famshëm që hodhi në tokë Garcia Marquezin në Mexico City në 1976-ën (pas të cilit nuk folën më kurrë), mund të ketë qenë një sulm i pahijshëm i nxitur nga sjellja e kolumbanit me Patrician. Por ai sinjalizoi gjithashtu edhe një ndarje politike. Romani i Vargas Llosas, “Jeta e Vërtetë e Alehandro Maitas”, e vendosur në kontekstin e revolucionit të tij të dështuar majjtist, ishte mohimi i vetes së shkuar të tij.

Ngjitja e Vargas Llosas në majat e letërsisë me atë që është cilësuar si “arritja e tij më e madhe letrare”, Bisedë në Katedrale (1969), përkoi me shuarjen e rivalit të tij të vetëm serioz për vendin e romancierit më të rëndësishëm peruan të shekullit XX, José María Arguedas, i cili vdiq po atë vit. Arguedas ishte sulmuar ashpër për identifikimin e tij me amerindianët e Andeve, shumicën autoktone të vendit, të cilët nuk u përqafuan kurrë plotësisht si pjesë e identitetit kulturor peruan. Për biografin e Vargas Llosas, “qëndrimet anti-indiane” mbeten një element themelor i veprës së tij.

Në vitin 1983, kur civilët gjendeshin të kapur mes kryengritjes maoiste të Shtegut të Ndritshëm dhe forcave po aq brutale të kundërrebelimit, ai pranoi të drejtonte një komision qeveritar për të hetuar vrasjen e tetë gazetarëve nga Lima prej fshatarëve të Andeve. Raporti i tij – i mbështetur në një vizitë që zgjati mezi një ditë – u akuzua se zbardhte përgjegjësinë e shtetit. Martin thotë se ai ia atribuonte ngjarjen “injorancës parahispanike” të fshatarëve (raporti i referohet kulturës së tyre si “ataviste”), pa marrë parasysh presionin e ushtrisë ndaj tyre për të vrarë të panjohurit që mund të ishin guerrilas.

Vdekja në Ande (1993), shkruar pas humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale, mua më është dukur si një klithmë zemërimi dhe zhgënjimi ndaj primitivizmit të malësorëve – të cilët nuk kishin votuar për të. Vargas Llosa më tha se romani “zhvillohet në një periudhë në të cilën terrorizmi dhe kundërterrorizmi kërcënonin të… sillnin një rikthim te fisi, tek e shkuara, te supersticioni… Ajo që quajmë qytetërim është… e brishtë; nën sipërfaqe, demonët e vjetër janë ende gjallë.” Por këta “demonë të vjetër” janë bashkëqytetarët e tij peruanë dhe paaftësia për të dalë jashtë mjedisit të vet të europianizuar e për ta parë botën nga këndvështrimi i tyre mund t’i ketë kushtuar këtij mbrojtësi të dikurshëm të romanit total një trashëgimi edhe më të madhe. Verdikti i Martinit është i prerë: “Teknikisht, madje edhe historikisht, mund të kishte qenë Tolstoi, apo edhe Hugo; shpirtërisht, nuk mundej.”

Pasi u end në tema të tilla si piktori Paul Gauguin dhe nacionalisti irlandez Roger Casement, Vargas Llosa iu rikthye Perusë së ditëve tona në romanin e tij të fundit, tashmë të botuar në anglisht në përkthimin e Adrian Nathan West me titullin Të jap heshtjen time. Protagonisti i tij, Toño Azpilcueta, një gazetar peruan i muzikës popullore, magjepset nga një virtuoz i kitarës, cholo-ja Lalo Molfino, i cili vdes i ri. Në përpjekjen për të treguar historinë e tij, me ndihmën e priftit që kishte shpëtuar Lalon foshnjë nga një grumbull plehrash, ky autor i dorës së dytë shkruan një histori të Perusë përmes vals-it kreol, pra valsit, e cila shpaloset në kapitujt alternativë të rrëfimit.

Vargas Llosa e satirizon atë që vetë e quante “romani total”: libri i Toños shndërrohet në një “tullë, një labirint” nga i cili “nuk kishte lënë asgjë jashtë”. Melodrama komike – ai viziton një psikiatër dhe përfundon duke u marrë me ambulancë – ia pret hovin vizionit të tij utopik. Edhe pse Toño e sheh muzikën kreole, me përbërësin e saj mestiz, si një forcë që mund të bashkojë vendin e tij të përçarë, ai mbart në vetvete paragjykime të rrënjosura thellë: tmerrohet nga një “errësirë në vendin e tij”, e mishëruar nga “shtrigat dhe shamanët” dhe nga “njerëzit naivë e injorantë”.

Një mestiz i talentuar, i nxjerrë nga një grumbull plehrash, mund të jetë një fantazmë e ardhur nga vetë fëmijëria e Vargas Llosas – një kushëri-hije, as familjar, as shërbëtor. E megjithatë, kufijtë e këtij gjeniu mund të qëndrojnë pikërisht në ato hije ku imagjinata e tij refuzoi të hynte. Ajo që në romanin e tij të fundit quhet “gogësima e gjatë e tri shekujve të jetës koloniale”, për shumë të tjerë ishte një holokaust pa fund. Dhe vepra e tij spektakolare zvogëlohet nga fakti se këndvështrimit të tyre nuk iu dha zë.