Goditën për shkak të detyrës Shefin e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Sarandë, i cili ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e një konflikti mes rojeve të sigurisë së një lokali dhe disa shtetasve, vihen në pranga 6 shtetas, mes tyre edhe administratori i lokalit, si dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka pezulluar menjëherë nga detyra dhe ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e hetimit disiplinor ndaj dy punonjësve të Policisë, për dypunësim pa leje në lokalin ku ndodhi konflikti dhe për mosndërhyrje për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.
Më datë 16.08.2026, rreth orës 03:20, në rrugën “Butrinti”, Sarandë, në ambientet e jashtme të një lokali, rojet e sigurisë së lokalit po konfliktoheshin me disa persona të tjerë dhe nuk kishin njoftuar shërbimet e Policisë.
Gjatë konfliktit, Shefi i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, nënkomisar M. B., po kalonte në rrugë me mjetin e tij dhe, kur ka konstatuar konfliktin, ka ndaluar, duke u prezantuar me detyrën që mbante dhe duke u përpjekur të parandalonte përshkallëzimin e konfliktit.
Rojet e sigurisë së lokalit nuk e kanë ndaluar konfliktin fizik, por kanë filluar të godasin me grushte edhe Shefin e Hetimit, i cili ka kaluar në vetëmbrojtje dhe ka arritur të komunikojë me shërbimet e Policisë për të kërkuar ndihmë.
Pas rreth 1 minute, kanë shkuar në ndihmë shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, të cilat kanë neutralizuar përshkallëzimin e konfliktit dhe kanë shoqëruar disa persona që janë gjendur të pranishëm në konflikt.
Shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet dhe, në një banesë në fshatin Gjashtë, Sarandë, kanë lokalizuar dhe shoqëruar edhe pjesën tjetër të rojeve të lokalit ku kishte ndodhur konflikti fizik.
Në vijim të veprimeve të kryera nga Oficerët e Policisë Gjyqësore, në bashkëpunim me Prokurorinë Sarandë, është bërë arrestimi i shtetasve:
K., 35 vjeç, administrator i lokalit ku ndodhi konflikti;
N., 38 vjeç; F. H., 35 vjeç; I. Ç., 34 vjeç; dhe A. K., 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr, roje sigurie në lokalin ku ndodhi konflikti, si dhe B. S., 29 vjeç, taksist.










