Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore vijojnë të shënojnë rritje edhe gjatë muajit korrik. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, gjatë këtij muaji u arkëtuan 17.9 miliardë lekë, ose 2.1 miliardë lekë më shumë krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.
Ecuria pozitive vjen edhe si pasojë e forcimit të masave kundër informalitetit dhe rritjes së efektivitetit të kontrolleve. Vetëm mbledhja e kontributeve të sigurimeve shoqërore u rrit me 13.13% në bazë vjetore.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e nivelit të të ardhurave është edhe ndryshimi i parametrave të pagave. Nga janari 2026, paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve është rritur në 50 mijë lekë, duke rritur bazën minimale mbi të cilën llogariten detyrimet për sigurimet.
Megjithatë, rritja e arkëtimeve duhet parë edhe në sfondin e një ekonomie ku informaliteti mbetet i lartë. Sipas OECD-së, rreth 29.4% e punësimit në Shqipëri ishte i paregjistruar në vitin 2024, ndërsa sektorët më të ekspozuar janë bujqësia, tregtia dhe ndërtimi.
Kjo do të thotë se rritja e kontributeve përbën një tregues pozitiv për financat publike dhe skemat sociale, por njëkohësisht tregon se formalizimi i tregut të punës mbetet një burim i rëndësishëm për rritjen e të ardhurave në të ardhmen.










