Nuk ka nisur mirë për atletët shqiptarë Kampionati Evropian i Atletikës, që po zhvillohet në Birmingham të Anglisë. Në ditën e parë të garave, atleti Franko Burraj në 400 metra dhe Markelo Mema në hedhjen e çekiçit nuk kanë arritur të sigurojnë kualifikimin për në fazat e mëtejshme të disiplinave të tyre.

Rekordmeni shqiptar i 400 metrave garoi të hënën në baterinë e tretë kualifikuese. Burraj e përfundoi garën me kohën 46 sekonda e 96 të qindtat, rezultat që e renditi në vendin e fundit të baterisë. Kjo ishte një paraqitje larg pritshmërive për atletin shqiptar, duke marrë në konsideratë se rekordi i tij personal është 45”85.

Edhe në hedhjen e çekiçit, Shqipëria nuk arriti të siguronte një vend në fazën tjetër. Markelo Mema u rendit në vendin e 14-të, duke mbetur jashtë 12 atletëve që siguruan kualifikimin.

Kampionati Evropian i Atletikës, në edicionin e tij të 27-të, zhvillohet nga 10 deri më 16 gusht në Birmingham. Garat po zhvillohen në pistën e ‘Alexander Stadium’, ndërsa disiplinat e maratonës zhvillohen në rrugët e qytetit anglez.

Në këtë edicion do të ndahen gjithsej 50 tituj, 48 prej tyre në garat për meshkuj dhe femra, ndërsa dy tituj të tjerë do të jepen në stafetat mikse 4×100 metra dhe 4×400 metra.