Një nga fanellat më ikonike të veshura nga Michael Jordan gjatë karrierës së tij do të dalë në ankand dhe mund të vendosë një rekord të ri për fanellën më të shtrenjtë të basketbollit të shitur ndonjëherë.

Bëhet fjalë për fanellën e bardhë me numrin legjendar 23, të cilën Jordan e veshi në ndeshjen e tretë të finaleve të NBA-së në vitin 1998 kundër Utah Jazz. Ajo periudhë ishte sezoni i fundit i tij me Chicago Bulls, i njohur si “Last Dance”, histori që vite më vonë u bë edhe subjekt i dokumentarit të famshëm të ESPN dhe Netflix.

Në atë ndeshje, Bulls mposhtën bindshëm Jazz dhe morën avantazhin në serinë finale. Pak ditë më vonë, Jordan udhëhoqi ekipin drejt titullit të gjashtë kampion në NBA në tetë sezone, duke e mbyllur në mënyrë perfekte periudhën e tij me skuadrën e Çikagos.

Sipas Joopiter, platformës që organizon ankandin online, kjo është fanella e vetme e bardhë e njohur e veshur nga Jordan në një fitore të finales së NBA-së në vitin 1998 që është nxjerrë ndonjëherë në shitje.

Vlera e saj parashikohet të jetë mes 10 dhe 15 milionë dollarëve, çka do t’i jepte mundësinë të bëhej fanella më e shtrenjtë e basketbollit e shitur ndonjëherë në ankand.

Ankandi, i titulluar “Pushed to Greatness”, do të nisë online më 15 shtator dhe do të përfundojë më 29 shtator, sipas CNN.

Rekordi aktual për një fanellë basketbolli mbahet gjithashtu nga Michael Jordan. Në vitin 2022, fanella e kuqe që ai veshi në ndeshjen e parë të finaleve të vitit 1998 kundër Utah Jazz u shit për 10.1 milionë dollarë, më shumë se dyfishi i vlerësimit fillestar.

Ndërkohë, një tjetër fanellë e Jordanit, e veshur gjatë sezonit të tij të dytë në Universitetin e Karolinës së Veriut, u shit në vitin 2021 për 1.38 milionë dollarë, duke vendosur një rekord në atë kohë.