Forcat e Armatosura (FA) të Republikës së Shqipërisë kanë realizuar me sukses objektivat kryesore të gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
Kjo u bë e ditur gjatë analizës së punës në praninë e Ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi; Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjenerallejtënant Arben Kingji; komandantëve dhe drejtorëve të strukturave të Forcave të Armatosura.
Krahas ruajtjes së sigurisë dhe gatishmërisë operacionale, analiza evidentoi progres në rekrutim, stërvitje, operacione, modernizim, infrastrukturë dhe administrimin e burimeve.
Ndërkohë, riorganizimi i strukturave ka përmirësuar efektivitetin e komandimit dhe përdorimin e burimeve, ndërsa bashkëpunimi me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët rajonalë ka forcuar përgatitjen dhe ndërveprueshmërinë e forcave.
Progres është shënuar edhe në modernizimin e kapaciteteve ushtarake, përmes pajisjes me sisteme të reja dhe zhvillimit të projekteve strategjike, ndërsa si prioritet për periudhën në vijim u përcaktua integrimi i plotë operacional i këtyre kapaciteteve, përmes përgatitjes së personelit, stërvitjes dhe zhvillimit të infrastrukturës, me synim rritjen e aftësive operacionale dhe forcimin e kontributit të Shqipërisë në mbrojtjen kolektive.










