Enti Kombëtar i Banesave ka hapur thirrjen për aplikime për programet e strehimit social, duke publikuar edhe kushtet, kriteret dhe dokumentacionin që duhet të përgatisin qytetarët që synojnë të përfitojnë.

Aplikimi kryhet online nëpërmjet platformës e-Albania, për shërbimin “Kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social”, ndërsa dokumentacioni që kërkohet ndryshon në varësi të situatës ekonomike, sociale, familjare dhe të strehimit të aplikantit.

Kriteret mbështeten në përcaktimet e Ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”, ndërsa dokumentacioni synon të evidentojë gjendjen reale të familjes dhe përmbushjen e kushteve për përfitim.

Të ardhurat dhe gjendja ekonomike

Aplikantët duhet të provojnë të ardhurat dhe burimin e tyre, duke përfshirë, sipas rastit, të ardhurat nga punësimi, vetëpunësimi, pensioni, ndihma ekonomike apo pagesa e papunësisë.

Në dokumentacionin e kërkuar përfshihen: vërtetim ose deklarim për të ardhurat e familjes dhe burimin e tyre; vërtetim nga punëdhënësi për pozicionin e punës dhe pagën; dokumentacion për kontributet e të vetëpunësuarve; vërtetim për përfitimin e ndihmës ekonomike ose pagesës së aftësisë së kufizuar; vërtetim për pagesën e papunësisë; vërtetim për pensionin.

Kjo pjesë e dokumentacionit shërben për të përcaktuar profilin ekonomik të familjes dhe për të vlerësuar nëse ajo përmbush kriteret për një nga programet e strehimit social.

Kategoritë në nevojë kanë dokumentacion specifik

Përveç të ardhurave, në vlerësim merren parasysh edhe rrethana të veçanta sociale dhe personale që mund ta vendosin një individ ose familje në një pozicion më të pafavorshëm për sigurimin e një banese.

Për viktimat e dhunës në familje kërkohet urdhër mbrojtjeje ose urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje.

Ndërkohë, për kategori të tjera mund të kërkohet vetëdeklarim ose dokumentacion specifik, si: vetëdeklarim për përkatësinë në pakicën kombëtare rome ose egjiptiane; dokument për të miturit në konflikt me ligjin; vetëdeklarim për përkatësinë në grupimin LGBTI; certifikatë familjare për kategorinë vajzë-nënë.

Këto dokumente lidhen me kategoritë e përcaktuara nga legjislacioni për strehimin social dhe synojnë që në procesin e vlerësimit të merren në konsideratë edhe faktorët e veçantë socialë.

Aftësia e kufizuar, jetimët dhe familjet e punonjësve të rënë në detyrë