Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, u ka dërguar ftesë udhëheqësve partiakë për një takim konsultativ që është caktuar për të martën e 18 gushtit.

Në këtë ftesë thuhet se takimin konsultativ ajo e ka thirrur për të biseduar për zhvillimet aktuale politike dhe institucionale.

Në ftesë është vënë theksi te rëndësia e arritjes së një marrëveshjeje për “zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe, rrjedhimisht, për formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”.

Kjo ftesë vjen një ditë pasi LDK-ja njoftoi se tërhiqet nga negociatat për poste me Lëvizjen Vetëvendosje dhe se nuk kërkon asnjë pozitë institucionale, por do të votojë për një figurë jopartiake për president.

Ndërsa, PDK-ja dhe AAK-ja qëndruan edhe të premten në sallën e Kuvendit, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive. /Kosovapress