Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, i është përgjigjur letrës së deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila të premten ftoi partitë politike në një takim për të diskutuar rreth situatës politike dhe institucionale në vend.

Takimi, i cili është caktuar të mbahet më 18 gusht, të martën, nga ora 09:00 në Zyrën e Presidentes, u tha se do të fokusohet në çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Ftesa e Haxhiut erdhi pasi takimet e ftuara më herët nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ishin refuzuar nga partitë opozitare.

Në letrën drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, Haxhiu ka theksuar rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.

“Në cilësinë e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës, ju ftoj në një takim konsultativ në lidhje me zhvillimet aktuale politike, institucionale dhe rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për Presidentin konsensual, rrjedhimisht dhe formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”.

PDK dhe LDK ende nuk i kanë bërë publike përgjigjet e tyre ndaj ftesës, ndërsa përgjigjja e Gjinit është publikuar nga mediat.

Në letrën e tij, Gjini i ka thënë Haxhiut se ajo nuk mund ta luajë rolin e unifikueses së spektrit politik, duke vënë në pikëpyetje mandatin e saj për një rol të tillë.

“Ju nuk jeni presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik”.

Gjini ka kritikuar Haxhiun dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se përmes këtij takimi nuk po synojnë gjetjen e një zgjidhjeje, por të fajtorëve për një vendim që, sipas tij, tashmë është marrë për dërgimin e vendit në zgjedhje.

“Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional. Qëllimi juaj ëshë më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisnj këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet. Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi. Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës”, shkroi Gjini në letër.

Partitë opozitare kanë kritikuar vazhdimisht Lëvizjen Vetëvendosje për refuzimin e propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit, ndonëse, ajo i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e tij.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të lidhë marrëveshje politike me Vetëvendosjen, e cila i ka ofruar vetëm tri ministri. LDK-ja ka bërë të ditur se është e gatshme të votojë një kandidat konsensual për president.