Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka kërkuar intensifikimin e kontrolleve për sigurinë rrugore, teksa vetëm gjatë një jave janë vendosur 1,100 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë.
Gjatë një inspektimi në aksin interurban Rrogozhinë-Durrës, Hita pa nga afër përdorimin e mjeteve inteligjente nga Policia Rrugore për evidentimin e shkeljeve dhe parandalimin e aksidenteve.
Sipas tij, shkeljet e evidentuara përmes Poliscaneve, radarëve dhe dronëve përbëjnë një shqetësim serioz për sigurinë në rrugë.
“Përgjatë kësaj jave, mjetet inteligjente kanë vendosur 1.100 masa administrative për shkelje të tejkalimit të shpejtësisë, që variojnë deri në 230 km/h”, deklaroi Hita.
Kreu i Policisë së Shtetit bëri me dije gjithashtu se gjatë një viti, në të gjithë territorin e Shqipërisë, 1,075 drejtuesve u është hequr leja e drejtimit pasi kanë humbur pikët, ndërsa 1,060 raste janë proceduar për drejtim të automjetit pa leje drejtimi.
Hita njoftoi se së shpejti do të vihen në funksion edhe kamerat e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut Rrugor, të cilat do të integrohen me sistemin e Policisë për një kontroll më të saktë të shkeljeve.
“Siguria rrugore ngelet përparësi e Policisë së Shtetit”, u shpreh Hita, duke theksuar se qëllimi i kontrolleve nuk është vetëm ndëshkimi, por edhe ndërgjegjësimi i drejtuesve dhe parandalimi i aksidenteve fatale.
Në fund, ai apeloi drejtuesit e automjeteve të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit, të mos drejtojnë nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike dhe të respektojnë kufijtë e shpejtësisë.
“Shpejtësia vret. Një rregull i respektuar, është një jetë e shpëtuar më shumë”, tha Hita.









