Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë, Majlinda Dhuka, i është përgjigjur Ministrit serb për Integrimin Evropian, Nemanja Starović, pas deklaratave të tij lidhur me lumin Ibër dhe çështjen e Kosovës.

Dhuka e ka cilësuar metaforën e Starović për “kështjellën prej rëre” si të bazuar në një interpretim selektiv të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Rezoluta 1244 nuk rivendosi sovranitetin serb mbi Kosovën. Ajo vendosi administrimin ndërkombëtar, largoi Forcat e Sigurisë Serbe, krijoi një proces të veçantë politik për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe, ç’është më thelbësore, nuk e paracaktoi rezultatin e atij procesi”, u shpreh Dhuka.

Ajo iu referua gjithashtu opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për deklaratën e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se gjykata kishte arritur në përfundimin se deklarata nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“E drejta ndërkombëtare nuk bëhet më e leverdishme duke u cituar me zgjedhje, dhe historia nuk kthehet pas thjesht sepse Beogradi vazhdon të presë që ajo ta bëjë këtë”, deklaroi ajo.

“Shqipëria nuk ka absolutisht asnjë pretendim territorial ndaj Serbisë, dhe as ndonjë agjendë për ndonjë gjë ‘Më të Madhe’, përveç një Evrope të Madhe, me Shqipërinë, Kosovën dhe, po, edhe Serbinë, së bashku brenda saj”, tha Dhuka.

Ajo hodhi poshtë gjithashtu narrativat për “Shqipërinë e Madhe” dhe “Serbinë e Madhe”, duke argumentuar se e ardhmja duhet të jetë e lidhur me integrimin evropian.

Në vijim, Dhuka u ndal edhe te Marrëveshja e Brukselit dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, duke theksuar se Shqipëria mbështet trajtimin e çështjeve të dakordësuara në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dhe në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.

“Duke punuar ngushtë me BE-në, si kolegu im i dashur serb, ashtu edhe unë, kemi parë në jetën reale se marrëveshjet janë pak a shumë si fqinjësia e mirë: funksionojnë dukshëm më mirë kur reciprociteti nuk trajtohet si një shtesë fakultative”, u shpreh ajo.

Në fund, Dhuka e riktheu vëmendjen te çështja nga e cila nisi përplasja publike: lumi Ibër.

“U bë një kërcënim lidhur me rrjedhën e Ibrit. Shqipëria kundërshtoi vetë idenë se uji mund të shndërrohej në një instrument presioni politik”, tha ajo.

Në përfundim, ministrja dha edhe mesazhin e saj për të ardhmen e marrëdhënieve në rajon: “Ibri duhet të mbartë ujin, jo pakënaqësi gjeopolitike.”

Sipas saj, nëse vendet e rajonit duan të ndërtojnë së bashku të ardhmen evropiane, themeli duhet të jetë realiteti.

“Dhe nëse vërtet duam ta ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë evropiane, ekziston një themel ndërtimi dukshëm më i fortë se rëra: REALITETI.”